Veseli: Llapjanët duhet ndryshuar udhëheqjen, është shndërruar në sundim autokrat

Kosova

Veseli: Llapjanët duhet ndryshuar udhëheqjen, është shndërruar në sundim autokrat

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 16:58
Kadri Veseli

Udhëheqja e Podujevës është shndërruar në sundim autokrat, prandaj duhet ndryshuar një qeverisje të tillë, pasi llapjanët nuk i kanë borxh askujt. Kështu ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në tubimin elektoral në Podujevë bashkë me kandidatin për kryetar të këtij qyteti, Hajredin Hyseni.

Kreu i PDK-së iu tha llapjanëve se vetëm një javë ka mbetur nga data e madhe e 22 tetorit, ditës së fitores së PDK-së dhe Hajredin Hysenit, për ndryshimin e Podujevës.

Veseli theksoi se ka pak vende që aq shumë i kanë dhënë lirisë dhe kanë ndryshuar fatin e vendit të vet sa i kanë dhënë Podujeva historisë së Kosovës.

I pari i PDK-së kërkoi nga llapjanët që më 22 tetor të bëhen bashkë për ndryshimin e Podujevës dhe ta heqin nga qeverisja një udhëheqje që është shndërruar në sundim autokrat, pasi nuk i kanë borxh askujt.

Veseli: Udhëheqja e Podujevës është shndërruar në sundim autokrat

“Qeveritë e deritashme lokale njëra pas tjetrës, kanë dështuar për t’iu dalë përballë sfidave dhe kërkesave që kanë qytetarët e Podujevës, në të vërtetë disa prej tyre edhe janë sjellë keq me Podujevën, e kanë konsideruar monopol pushtetin, prandaj s’kanë bërë asgjë të hairit për Podujevën dhe llapjanët. Derisa qytetarët e Podujevës janë njerëz punëtor, papunësia është shumë e madhe, derisa kemi aq shumë ndërmarrës të zellshëm që janë llapjan, në të njëjtën kohë në Komunën e Podujevës ndërmarrësia është pothuaj fare e zhvilluar. Sipërmarrësit llapjan janë të ngulfatur nga korrupsioni dhe burokracia komunale. Shërbimet publike në Podujevë janë shumë të dobëta, investimet kapitale dhe udhëheqja në llap është më tepër në një mentalitet që është shndërruar në monopol apo sundimi autokrat. Llapi dhe llapjanët ndërkohë janë zhytur në varfëri dhe papunësi, kjo është një gjendje e papranueshme. Kjo gjendje duhet ndryshuar më 22 tetor bëhuni bashkë, nuk i keni askujt borxh, ndryshojeni Podujevën e juaj”, tha Veseli.

Ai premtoi përkrahje të plotë për kandidatin e PDK-së për kryetar, Hajredin Hyseni, duke thënë se nuk do të ketë premtim të tij që nuk do të realizohet qind për qind.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Hajradin Hyseni, tha se i vetëdijshëm për sfidat që e presin në krye të komunës, por shprehur besimin e plotë se do t’ia dalë bashkë me qytetarët dhe ekipin e tij profesional e të vendosur për të ndryshuar Podujevën.

Ai tha se ka kuptuar nga qytetarët për kërkesat e tyre për padrejtësitë në arsim e subvencione, për shërbime të këqija shëndetësore, për ndërtimin e rrugëve në baza partiake, porse qytetarët tanimë kanë kuptuar programin e PDK-së për ndryshimin e qeverisjes në këtë qytet.

Hyseni theksoi se programi i tij qeverisës është i bazuar në nevojat dhe mundësitë që ekzistojnë. Ai ka ftuar qytetarët që të fillojnë një epokë tjetër me 22 tetor dhe ta kthejnë për së mbari.

Hyseni: Oferta jonë ndryshon Podujevën

“Ofertën tonë e kemi ndarë në pesë shtylla që përmbajnë prioritetet kryesore. Zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë, arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, infrastrukturën, urbanizmin dhe ambientin, kulturën, sportin dhe rinia. Kjo është oferta jonë që Podujevës i garanton zhvillim ekonomik, me park industrial, inkubator biznesi, kjo është oferta jonë që e rritë subvencionet në bujqësi, mbështet fermerët dhe blegtorët, kjo është oferta jonë që krijon arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore 24 orë, spital funksional, administratë moderne në shërbim të qytetarit. Në ofertën tonë, qyteti do ta ketë sheshin e vet, galerinë dhe muzeun, bibliotekën që kishim dikur, lumin Llap që kishim dikur, do të ketë trajtim të ndërtesave, çerdheve dhe parqe, kënde për fëmijë, do të ketë shtatorët e heronjve që u mungon tash e sa vite”, theksoi Hyseni. Në këtë tubim qendror të PDK-së në Podujevë, janë prezantuar edhe kandidatët për asamblenë komunale të Podujevës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat