Veseli: Klina është shembull i forcës së ndryshimit që përfaqëson PDK-në

Kosova

Veseli: Klina është shembull i forcës së ndryshimit që përfaqëson PDK-në

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 17:27
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Klinë tha se kjo komunë është shembull i forcës së ndryshimit që përfaqëson partinë që drejton, sikurse që është shembull i qeverisjes së mirë dhe lidershipit të vendosur.

I pari i PDK-së, tha se ndër vendimet e para të kryetarit të Klinës Sokol Bashota, do të jenë që taksa komunale për bizneset e vogla të jetë zero, dhënia falas e tokës publike për të gjithë investuesit dhe ata ndërmarrës të cilët janë të interesuar të investojnë në Klinë.

Veseli: Me lidershipin e kryetarit Bashota Klina është kthyer në komunat më të sigurta

“Klina është shembull i forcës së ndryshimit që përfaqëson Partia Demokratike e Kosovës, është shembull i qeverisjes së mirë dhe lidershipit të vendosur. Sokol Bashota është kryetari me të cilin mburren qytetarët e Klinës, Sokol Bashota është njeriu unik që përfaqëson njeriun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njeriun i cili dinë të jetë po ashtu një udhëheqës dhe një menaxher i suksesshëm i paqes. Me lidershipin e tij Klina është kthyer në njërën nga komunat më të sigurta dhe më të qeta të Republikës sonë. Me lidershipin e Sokol Bashotës Klina është bërë sot komunë e punës dhe në të njëjtën kohë e mirëkuptimit vëllazëror qytetar. Me lidershipin e Sokol Bashotës komuna e Klinës është bërë adrës e sigurt për qytetarët, për fermerët dhe për sipërmarrësit e Klinës, për arsimtarët, studentët, pensionistët, për familjet e dëshmorëve dhe të gjitha komuniteteve ndërfetare”, tha Veseli.

Veseli tha se me Sokol Bashotën komuna e Klinës është modernizuar në qytete dhe fshatra, ndërkohë që tha se janë shumë projekte të realizuar që mbajnë vulën e Sokol Bashotës.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, qytetarëve të Klinës ju premtoj se çdo projekt i kryetarit Sokol Bashota do të jetë projekt i realizuar dhe i përkrahur nga qeveria qendrore.

Edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka folur për të arriturat e tij gjatë 10 vjetëve qeverisje me komunën e Klinës, përderisa premtoi edhe katër vite të tjera të ndritshme për këtë komunë nëse zgjidhet kryetar. 

Ai premtoi ujë të pijshëm për të gjitha fshatrat e kësaj komune, rregullim të infrastrukturës dhe të gjitha mjediseve në fshatrat e Klinës. Ai ftoi qytetarët që të votojnë për PDK-në, në mënyrë që t’i thonë po zhvillimit dhe mirëqenies, ndërsa garantoi se nuk do ta lë Klinën në duart e atyre që nuk e duan.

Bashota: Nuk e lëmë Klinën në duart e atyre që nuk e duan

“Nuk e lëmë Klinën në duart e atyre që nuk e dëshirojnë këtë vend, të atyre që nuk bënë asgjë për këtë vend. Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm për nevojat e të gjithë juve, iu garantoj se edhe me mbështetjen edhe të kryetarit të partisë, njëkohësisht kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, projektet që janë për Klinën, dhe qytetarët e Klinës, për mandatin e ardhshëm do të jenë projekte që do të rregullojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha ai.

Ai po ashtu u zotua se gjatë mandatit të ardhshëm, me përkrahjen edhe të kryetarit të Kuvendit të Republikës të Kosovës Kadri Veseli, do të implementojë projekte që do të rregullojnë mirëqenien e qytetarit të Klinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat