Mustafa: Qeverisja e mirë e Veliut e bën atë fitues të zgjedhjeve në Podujevë pa balotazh

Kosova

Mustafa: Qeverisja e mirë e Veliut e bën atë fitues të zgjedhjeve në Podujevë pa balotazh

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 13:57
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Podujevë se qeverisja e mirë e Agim Veliut në shërbim të qytetarëve dhe oferta e tij për katër vitet e ardhshme e bën atë fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve pa balotazh.

“Nga ky tubim madhështor dua të përçoj optimizmin tonë real, të matur saktë, për fitore të thellë të LDK-së në Podujevë dhe në shumicën e komunave të Kosovës.  LDK-ja po kthehet fuqishëm si partia më e madhe politike e Kosovës. Urime Agim! Fitoren pa balotazh ta sigurojnë këta që janë mbledhur në këtë tubim madhështor dhe familjet e mira, të ndershme e punëtore të Llapit”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, që në Llap janë shumë dhe janë më të fortët, por edhe të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës, janë dëshmitarë të qeverisjes së mirë e transparente të Agim Veliut.

“Llapi e llapjanët i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës figura të çmuara në të gjitha fushat. Ju dini të qeverisni vet komunën tuaj, me njerëzit tuaj të mirë e punëtorë. Ju i keni besuar gjithmonë LDK-së së Ibrahim Rugovës. Ju jeni me LDK-në sepse LDK-ja është parti e vlerave, e ruajtjes së familjes dhe që e kultivon besimin në Zot”, tha kreu i LDK-së.

Ai tha se kryetari juaj, Agim Veliu është angazhuar shumë që qeveria e udhëhequr nga unë ta fillojë ndërtimin e rrugës moderne Podujevë-Prishtinë.

“Kryetari Agim Veliu dhe LDK-ja janë të vendosura për ta vazhduar qeverisjen e mirë, transparente dhe zhvillimore të Podujevës. Pushteti lokal i Podujevës do të qeveriset nga LDK-ja dhe do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim. Agim Veliu e ka dëshmuar këtë. Prandaj, ballëhapur u kërkojmë votën llapjanëve. Sepse kemi platformën më të mirë qeverisëse të zhvillimit ekonomik lokal”, tha kryetari i LDK-së.

Mustafa ka thënë se llapjanët e kanë refuzuar dhe do ta refuzojnë vazhdimisht politikën e krimit, korrupsionit dhe çantave të mbushura me para të vjedhura nga djersa e popullit, sikur që do ta refuzojë politikën e mollotovit dhe të marrjes së pushtetit me dhunë.

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka thënë se gjatë viteve të shkuara janë realizuar me qindra projekte, të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Lidhja jonë është lidhje e qytetarëve, bujqve, pensionistëve, studentëve, të rinjve, grave motra dhe nënave tona. Kjo është Lidhja ndërmjet nesh, Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo Lidhje askund nuk është më e fuqishme se në Podujevë”, ka thënë Veliu.

Ai potencoi se Podujeva është bastion i LDK-së, prandaj i janë turrur parti e organizata, grupacione e lëvizje për ta marrë dhe për ta pushtuar. “Askund në Kosovë LDK-ja nuk është më e fuqishme se në Podujevë, prandaj askund sikur në Podujevë LDK-ja nuk po përballet me sulmet e të gjithëve kundër saj. Dua tua përkujtoj oponentëve politikë se Podujeva para se të jetë bastion i LDK-së, është edhe bastion i lirisë, i kulturës, i qytetarisë, është bastion i demokracisë dhe ky bastion nuk ka për tu thyer kurrë”, ka pohuar Veliu.

Programi ynë për Podujevën në katër vitet e ardhshme përmban rezultate të matshme, me njerëz të dëshmuar. “Programi ynë parasheh zhvillimin ekonomik të balancuar mes fshatit dhe qytetit, bujqësi të integruar me prodhim cilësor në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, zhvillim urban me parqe e hapësira të gjelbra, kënde lojërash e fusha sportive, shërbime shëndetësore cilësore, shkollim cilësor, biznes të zhvilluar, që do të punësojë rininë tonë të mrekullueshme”, ka shtuar Veliu.

Ai i ka ftuar të gjithë banorët e Podujevës që më 22 tetor të dalim në zgjedhje dhe ta votojnë numrin 47 të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat