Avni Zogiani: Ne po luftojmë kundër një pushteti të korruptuar dhe të frikësuar, fundi i tyre është afër

Kosova

Avni Zogiani: Ne po luftojmë kundër një pushteti të korruptuar dhe të frikësuar, fundi i tyre është afër

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 21:23
Avni Zogiani

Në tubimin përmbyllës zgjedhor të VETËVENDOSJE!-s në Fushë Kosovë në ditën e parafundit të fushatës, Avni Zogiani, kandidat për kryetar, u shpreh i bindur se sonte me fushatën po përmbyllet edhe epoka e korrupsionit në Fushë Kosovë, duke marrë fund qeverisja e LDK-së

“Ju falemnderit shumë për përkrahjen që na e keni dhënë në këtë fushatë, fushatë në të cilën u takuam me juve dhe bëmë marrëveshje për shumë gjëra. U morëm vesh me e largu administratën e korruptuar, të papërgjegjshme, e të degraduar të FushëKosovës. U morëm vesh me i dhënë fund problemit të furnizimit me ujë,për të gjithë banorët. U morëm vesh me e ringritë arsimin, ekonominë, shëndetësinë, kulturën.Ne bëmë marrëveshje ta bëjmë Fushë-Kosovën qytet, e fshatrat t’i nxjerim nga periudha e ndihmave me korrupsion, e t’i nisim drejt një dinjiteti”, tha ndër të tjera Zogiani.

Ai tha më tej se Fushë Kosova ka pasur pasoja të rënda nga pushteti aktual, për të cilin tha se merr fund me 22 tetor. Zogiani tha po ashtu se pushteti aktual i ka shërbyer vetes. Ndërkaq, u zotua se me qeverisjen e tij do të angazhohet për furnizim të pandërprerë me ujë, arsim cilësor, shëndetësi me dinjitet, ambient mëtëmirë, qytet e fshat të pastër, infrastrukturë të qëndrueshme, mundësi për zhvillim e punësim, ushqim për nxënësit në shkollat fillore, kontrolla sistematike shëndetësore për nxënës, lehtësime në qarkullim për këmbësorë e biçilklistë, qasje për personat me aftësi të kufizuara në ndërtesa dhe trajtim të barabartë të të gjitha komuniteteve.

“Ne nuk po luftojmë vetëm një pushtet të korruptuar. Por, sot më shumë se kurrë, po e luftojmë një pushtet të korruptuar dhe të frikësuar. Ju e dini që ky pushtet e ka për zakon që në netët para zgjedhjeve, në errësirë, të zbrazë kamionët me ndihma para dyerve tuaja.Kështu, ky pushtet, blen votën me paratë tuaja. Kështu, ky pushtet, duke blerë votën, se s’ka mënyrë tjetër për t’iu bindur, e s’ka tjetër për t’iu ofruar, provon ta vazhdojë varsinë tuaj nga ndihmat. Ju, merrjani ndihmat! Po votën mos ua jepni! Mos ua jepni votat atyre që iu mashtrojnë qe 18 vite. Votoni për ta ndryshuar këtë vend! Votoni VETËVENDOSJE!”, ka përfunduar fjalën e tij Zogiani në tubimin përmbyllës në Fushë-Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat