Jashari nga “sofra e shtëpisë” në Prekaz përçon mesazhin për unitet

Kosova

Jashari nga “sofra e shtëpisë” në Prekaz përçon mesazhin për unitet

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 14:57
Bekim Jashari

I biri i komandantit Hamëz Jashari, Bekim Jashari, kishte zgjedhur oborrin e shtëpisë së tij në Prekaz, vendin ku 19 vjet më parë 56 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë u masakruan, të jap mesazhin e fundit pas një muaji fushatë

Bekim Jashari, i ulur në “sofër”, bashkë me motrën, Besartën dhe gruan e tij, me plot emocione tha se po e mbyll fushatën me gjirin familjar.

Sofra për familjen Jashari, e në veçanti për të motrën Besartën, Jashari tha se ka rëndësi të veçantë, pasi ajo kishte mbijetuar pikërisht nga mburoja e sofrës.

Jashari nga kjo sofër tha se po jep mesazhin për unitet dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Skenderajt, pa dallime politike.

Jashari: Rreth “sofrës” të bashkuar dua të përçoj mesazhin për unitet

“Po e përmbylli fushatën elektorale për zgjedhjet e 22 tetorit në sofër me familjen time. Kjo sofër për ne si familje, e në veçanti për motrën Besartën ka një rëndësi të madhe, sepse zoti e shpëtoi pikërisht në këtë sofër edhe pse armiku provoi ta shuaj sofrën tonë, e të shqiptarëve por nuk ia doli. Prandaj përmes kësaj simbolike, bashkimit rreth sofrës dua të përçoj mesazhin tim për unitet, mirëqenie për të gjithë qytetarët e Skenderajt pa dallime politike”, tha Jashari.

Djali i komandantit Hamëz Jashari, ka shprehur  mirënjohje dhe falënderim të madh për të gjithë qytetarët e Skenderajt për të gjithë ato përjetime që ka pasur për një muaj fushatë.

Jashari në fund ka uruar që të dielën të ketë  zgjedhje sa më të mira, të qeta dhe të rregullta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat