Thaçi: Më nuk na presin me flamur të Kosovës në BE

Kosova

Thaçi: Më nuk na presin me flamur të Kosovës në BE

Më: 26 tetor 2017 Në ora: 22:21
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kushti i Demarkacionit ishte një kurth për Kosovën, ndërsa është shprehur se në Bruksel ka zyrtarë që e vonojnë integrimin e Kosovës, në të njëjtën kohë kur e trajtojnë me dashamirësi Serbinë.

“Lojaliteti i Kosovës është keqpërdorur nga individë në Bashkimin Europian për të vonuar integrimin e Kosovës. Por, ne nuk kemi tjetër alternativë. S’e kemi kartën e shantazhit me Rusinë. Ndërsa në Bruksel janë të etur për buzëqeshjen e Beogradit”, ka thënë Hashim Thaçi në Zona e Debatit.

“Qasja jonë nuk duhet të keqpërdoret nga zyrtarët e Bashkimit Europian. Ndërsa Demarkacioni ka qenë një kurth për Kosovën”.

Sipas presidentit në raportet Kosovë-BE, tashmë ka ngecje e kthim prapa.

“Unë jam pritur me flamurin e Kosovës në selitë e BE-së, ndërsa tash nuk pritet askush me flamur, ka regres, sikur kamuflohet realiteti i Kosovës së pavarur e sovrane, por sido që të jetë ne duhet të punojmë për liberalizimin e vizave, sepse s’kemi alternativë tjetër”.

“Por, prapë, dua të theksoj se kalimi i Demarkacionit megjithatë nënkupton liberalizim të vizave, ndërsa luftimi i korrupsionit është agjendë e përhershme”.

Thaçi është shprehur optimist se “qasja e Brukselit do të ndryshojë”, por  ai ka shtuar se “edhe ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat