Duncan: Shpresoj që me Kosovën të punojmë në fushën e krimit të organizuar

Kosova

Duncan: Shpresoj që me Kosovën të punojmë në fushën e krimit të organizuar

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 15:41
Ministri i Shtetit për Evropë dhe Amerikë i Britanisë së Madhe Alan Duncan

Ministri i Shtetit për Evropë dhe Amerikë i Britanisë së Madhe Alan Duncan, në takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të përkrahin Kosovën dhe çdo shtet që dëshiron të anëtarësohet në BE edhe pse Britania është në proces të daljes nga BE.

Fokusi i Britanisë së Madhe, sipas Duncan është të ndihmojë shtetet e Ballkanit në luftimin e krimit të organizuar, ku shpreson të punojë me Kosovën në këtë fushë.

Duncan: Shpresoj që të punojmë me ju në fushën e krimit të organizuar

“Samiti dhe vizita ime ndodh në kohën kur Mbretëria e Bashkuar është në proces të daljes nga Bashkimi Evropian, por do të doja t’iu siguroja se edhe pse ne do të dalim nga BE,  ne nuk do të dalim nga Evropa dhe nuk do të dalim nga bota. Ne ende do të jemi Mbretëria e Bashkuar e cila shikon tërë globin për ekonomi, marrëdhënie bilaterale dhe të ndihmojmë në fushën e sigurisë për aleatët dhe miqtë tanë. Kështu që, Britania e Madhe ende do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në botë dhe më shumë detaje shpresoj që të punojmë me ju në fushën e krimit të organizuar. Në këtë fushë kam ardhur nga Shqipëria, nga Tirana, ku jemi duke bërë të njëjtën gjë atje, sepse shumë krim i organizuar, do të thotë krimi i organizuar nuk ka kufi dhe është e rëndësishme që të punojmë me të gjithë vendet e rajonit që ta tejkalojmë këtë problem”, tha ministri britanik.

Duncan tha se edhe pse janë duke e lënë BE-në, ende dëshirojnë që të bashkëpunojnë me BE-në dhe se dëshirojnë një BE të fortë.

Po ashtu, ai tha se shpreson që në të ardhmen lidhjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së të jenë të forta dhe të kenë sukses, e jo dobësim të dyanshëm.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi pozitive vizitën e Duncan, ku tha se me këtë rast janë përtërirë marrëdhëniet e mira në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat burojnë nga kohëra shumë të vështira të popullit të Kosovës. 

Haradinaj: Jemi në dimensione të reja të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar

“Tani jemi në dimensione të reja të bashkëpunimit, edhe bilateral, por edhe të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimet në rajonin tonë. Sikurse e dimë në korrik mbahet takimi i Londrës, një takim i rëndësishëm i vendeve të Ballkanit dhe qëllimi i Kosovës është që në këtë takim por edhe në vazhdimësi Kosova të shënoj progresin e vet që është në rend dhe ligj, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe njëkohësisht t’i identifikojmë projektet e përbashkëta, qofshin regjionale, qofshin më gjerë në perspektivën euroatlantike”, tha Haradinaj.

Ministri i Shtetit për Evropë dhe Amerikë i Britanisë së Bashkuar, Alan Duncan, gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat