Potera: Ndryshimi, do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve llapjan

Kosova

Potera: Ndryshimi, do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve llapjan

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 09:37
Ajet Potera

Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera i gëzohet mundësisë që është në balotazh me kundër kandidatin e tij të LDK-së, Agim Veliu për zgjedhjet që do të mbahen më 19 nëntor.

Potera pret që kjo përballje të  kurorëzohet me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se ndryshimi  është i natyrshëm për një qeverisje në interes të të gjithë qytetarëve.

Potera: Ndryshimi është i natyrshëm dhe këtë ndryshim po e presim më 19 nëntor

“Unë mendoj që 22 tetori tregoi që qytetari llapjan është për ndryshim, këtë ndryshim e mirëpresim edhe ne, sepse një qeverisje deri më tani 18 vite ka nevojë të rifreskohet, ka nevojë të rifreskohet edhe udhëheqja e LDK-ës po edhe qytetari duhet ta kërkoj një qeverisje më ndryshe, që është në interes për të gjithë qytetarëve të Kosovës, për shkak se në sistemin demokratik, ndryshimi është shumë I natyrshëm dhe këtë ndryshim po e presim më 19 nëntor, gjë që do të do ta realizojmë bashkë me qytetarët… Ndryshimi vjen vetëm prej Lëvizjes vetëvendosje”, theksoi Potera.

Ai ka thënë se pesë prioritetet në programin e tij qeverisës mbesin , arsimi, shëndetësia, bujqësia, përkrahja e kompanive prodhuese dhe punësimi i të rinjve. Potera zotohet dhe premton se do t’i stimulojnë kompanitë që veprojnë në Podujevë për ta pasur prodhimtari dhe për të gjeneruar vende të reja të punës.

Potera ka kritikuar mënyrën e qeverisjes aktuale, ngase sipas tij, më shumë është bërë punë vetëm për fushatë elektorale.

Potera: Janë bërë shumë punë për fushatë elektorale 

“Ne tash kemi vendosur një kioskë(për shërbime të certifikatave), që është më shumë për fushatë elektorale, dhe të gjitha projektet që janë duke u bërë në komunën tonë, janë duke u bërë projekte elektorale, janë duke u bërë shkel e shko, pa standarde. Prandaj edhe tash që po flas për standarde, desha të them edhe në urbanizëm dhe në infrastrukturë se është bërë shumë punë, bile aq shumë punë sa që kisha dashtë të nxjerr një projekt që ta falënderoj kryetarin të cilin projekt është bërë që të krenohem më të, por jo asnjë punë e madhe që është bërë nuk është bërë me standarde dhe kritere, por veç është bërë sa për votë. Kështu që nuk ka peshë në më marrjen e përgjegjësive mendojmë që çdo projekt, çdo cent të taksapaguesit ta bëjmë me bazë në komunitetet”, deklaroi ai.

Kandidati nga LVV ka thënë se nëse zgjidhet kryetar do të punojë për nj qeverisje transparente, në harmoni dhe me mendimet e qytetarëve, në mënyrë që të jenë sa më afër qytetarit.  

Potera: Nëse zgjidhemi për kryetar do të jem transparent 

“Ne do të jemi shumë transparent për dëgjimet buxhetore, do të ftojmë qytetarët që në dëgjime buxhetore të marrin pjese t’i dëgjojnë të zgjedhurit e vet në asamble se si po i mbrojnë interesat ose prej nga vijën ata se çfarë projektesh kanë për lagjet ose fshatin e vet. Gjithashtu kemi menduar që të bëjmë një planifikim vjetor ku çdo grup shoqëror ta ftojmë në debat më studentet, më mësimdhënësit, më inxhinieret, më bujqit e kështu më radhë që të debatojmë për telashet e tyre, që gjatë vitit sigurisht do të kemi dhjetëra takime të tilla që të jem gjithherë afër qytetarit, që asnjëherë të mos shkëputemi prej qytetarit prej baze, sepse faktikisht ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve të punojmë për ta jo anasjelltas që qytetari të punoj për ne, edhe këto do të mundohem që t’i realizoj gjatë katër viteve të ardhshme”, potencoi Potera.  

Ai ka shtuar se është bërë shumë propagandë se nëse Lëvizja Vetëvendosje vjen në pushtet,  kryetari do t’i largoj punëtorët prej pune, e që sipas tij kjo nuk do të ndodhë.

Potera ka folur edhe për objekte të ndërtuara pa leje, në toka bujqësore, por këtë dukuri ai ka thënë se do ta parandalojë.

Potera ka treguar se deri tash nuk kanë arritur ndonjë koalicion parazgjedhor me subjektet politike që nuk janë në garë, por sipas tij, janë në negociata pa oferta.

Potera: Jemi në bisedime,  por jo me oferta me ndonjë parti

“Unë kisha qenë i kënaqur që koalicioni i vetëm të jetë koalicioni me qytetarin, mirëpo jemi në bisedime, te shohim si po rrjedhin ato gjatë ditëve në vijim, se a do të dalim me ndonjë marrëveshje apo do të vazhdojmë mbi bazat e forcave tona dhe me qytetarin”, deklaroi ai.

Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 22 tetor, kandidati i LVV për Podujevë, Ajet Potera ka marrë 11 mijë e 671 vota ose 29,77%, ndërsa Agim Veliu i LDK-së ka marrë 18 mijë e 872 ose 48,15%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat