UP-ja me mungesë të stafit administrativ

Kosova

UP-ja me mungesë të stafit administrativ

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 00:13
ilustrim

Njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, tash e një kohë përballen me mungesë stafi, për ofrimin e shërbimeve të studentëve.

Dekanatet dhe Rektorati kanë bërë kërkesa të shumta për shtimin e numrit të referentëve nëpër njësitë akademike, por një gjë të tillë nuk e ka lejuan Ministria e Financave, duke mos ndarë buxhet shtesë për angazhimin e punëtorëve të rinj në UP.

Vaide Kçiku-Hoxha është e vetmja zyrtare përgjegjëse për studentët në master dhe doktoratë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka nën menaxhim mbi 1 mijë studentë, në nëntë programe të masterit dhe 3 të doktoratës.

Edhe pse me rregullore të Universitetit një zyrtar është përgjegjës për vetëm 500 studentë, Vaidja i kryen punët sa edhe për dy referentë të tjerë.

Ajo vlerëson se kjo është ngarkesë pasi që shpesh punon edhe jashtë orarit apo edhe gjatë fundjavave, vetëm për të qenë e përgjegjshme në kryerjen e punëve ndaj studentëve.

“Për me arritë për me mbulu mos të them 100 për qind, se asnjëherë njeriu nuk mund ta jep maksimumin e punës të nevojshme, ne punojmë edhe pas orarit të punës edhe në fund javë varësisht prej intenzitetit të punës prej kërkesave ne afatet e caktuara, si regjistrim të semestrave, paraqitja e provimeve, konkurset”, tha ajo.

Në Fakultetin Filologjik studimet i vijojnë në studimet themelore rreth 3 mijë studentë, derisa në master e doktoratë mbi 1 mijë, për të cilët kujdesen vetëm 4 referentë, e në bazë të ligjeve për arsimin universitar, do të duhej të ishin 8 zyrtarë. Për këtë çështje në këtë njësi akademike tregojnë se kanë bërë kërkesa të shumta në Rektorat.

Linditë Sejdiu-Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë tha se “…këtë vit kemi marrë vetëm një pozitë të re të referentit, por sivjet do të ballafaqohemi përsëri me telashe të tilla sepse gjatë vitit akademik do të pensionohet një referentë, pastaj zyrtari i lartë për mësim dhe dy bibliotekiste…”

Universiteti i Prishtinës ka bërë kërkesa të shumta për shtimin e numrit të referentëve nëpër njësit akademike, por një gjë të tillë nuk e ka mundësuar Ministria e Financave duke mos ndarë buxhet shtesë për angazhimin e punëtorëve të rinj në UP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat