Visar Ymeri në Dardanë: Qëndroni është fundi i korrupsionit dhe pensionimi i Shaip Surdullit

Kosova

Visar Ymeri në Dardanë: Qëndroni është fundi i korrupsionit dhe pensionimi i Shaip Surdullit

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 20:25
Visar Ymeri

Në tubimin zgjedhor të VETËVENDOSJE!-s në Kamenicë, Kryetari Visar Ymeri ka thënë se atyre që deri dje njiheshin si figura, sot po u çjerren maskat, po fshihen vrimave e po zvarriten në heshtje.

“Mrekullia që po i vjen Kamenicës, ajo që do ta sjellë zhvillimin e dritën, shëndetin e arsimin, rrendin e drejtësinë, solidaritetin e barazinë, është Qëndron Kastrati, kryetari i Kamenicës, mendja e zemra e komunës, zëri dhe puna e qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

“Qëndroni është një prej 6 fëmijëve të familjes Kastrati. Ka katër vëllezër dhe një motër: Fitonin, Gëzonin, Agonin, Festonin e Krejonën. Lehtë mund të mendojmë se këta emra janë përzgjedhur nga prindërit për shkak se tingëllojnë bukur. Por jo. Për Isa Kastratin, babain e Qëndronit, dhe Tevhiden, nënën e Qëndronit, qëllim nuk ishte estetika fonetike por domethënia që këta emra bartin. Madje këta nuk janë as emra por janë fjali”, shtoi ai.

“Përmes Qëndresës politike e ushtarake Fitojmë lirinë, që Agon si një ditë e re, dhe na Gëzon të gjtihëve sepse të lirë e Festojmë dhe manifestojmë Krenarinë tonë apo Krejonën, dykrenaren tonë. Po tash, në këtë ditë, sot, më 19 nëntor si do të përkthehej kjo fjali? Sot, më 19 nëntor, për çdo ditë pastaj: Fitorja jonë i Gëzon qytetarët e Dardanës e të Kosovës, sepse me 19 nëntor ajo e bën Qëndronin kryetar, e me Qëndronin Agon dita e përparimit, zhvillimit, e mirëqenies që na e kthen dinjitetin e Krenarinë tonë, ditë që sjell ndryshimin në qeverisje, qeverisje kjo që do ta Festojmë e manifestojmë përherë, me Qëndronin kryetar, i cili do të Qëndrojë vendoshmërisht me qytertarët dhe krah tyre”, ka thënë tutje Ymeri.

Ymeri tha po ashtu se Qëndroni e ka qëndrueshmërinë e vendosmërinë, në interes të qytetarëve e kundër krimit e degradimit. Ai tha se një kryetar komune duhet ta njoh dhe ta jetojë realitetin të cilin e jetojnë qytetarët, duhet ta ketë dijen e programin për ta zhvilluar komunën, duhet ta ketë guximin ta luftojë krimin e korrupsionin, nuk duhet të mendoj për vete por të jetë solidar me të tjerët, duhet ta sheh veten të barabartë me të tjerët, duhet ta ketë ndershmërinë në qeverisjen me të mirat publike. Ashtu siç e ka zemrën Qëndroni dhe duhet ta dhembshurinë për të varfërit dhe të punojë për ta. E, për gjitha këto, Ymeri tha se Qëndron Kastrati i ka, ndaj edhe është njeriu i duhur për ta qeverisur Dardanën, duke përmendur se Qendroni ka zgjedhur të punojë në komunën e Dardanës, duke e lënë pozitën komode të deputetit në Prishtinë.

“Dardana nuk pranon t’i riciklojë më figurat e vjetra, sepse nga gjiri i saj si ngahera po dalin djem e vajza që i dalin zot komunës dhe Kosovës. Gara në komunën tuaj është e tillë miq, midis të resë dhe të vjetrës.  Me Qendronin është përparimi, me Shaipin konservimi; me Qendronin është zelli e energjia, me Shaipin neglizhenca e babëzia; me Qendronin është barazia, me Shaipin është grykësia. Për Dardanën Qendroni është zgjidhje, për Qendronin Dardana është obligim. Për Qendronin Dardana është fillimi i një përgjegjësie të re. Për Dardanën Qëndroni është fundi i korrupsionit dhe pensionimi i  Shaip Surdullit”, tha ndër të tjera Visar Ymeri në tubimin zgjedhor në Dardanë.

Image
Qëndron Kastrati

Qëndron Kastrati: Me 19 nëntor Dardanës do t’ia kthejmë dinjitetin, drejtësinë e barazinë

Me falënderime ndaj bashkëqytetarëve të tij për besimin që iu dha në rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati për kryetar të Dardanës, Qëndron Kastrati e ka filluar fjalën e tij në tubimin zgjedhor qendror. Ndërsa, për pjesëmarrjen masive në tubimin e sotëm, ai tha se është përgjigja më e mire se kjo komunë është gati për ndryshim.

“Është e vërtetë që në cdo balotazh garojnë dy kandidatë. Dy ide të ndryshme, subjekte apo grupe të caktuara politike. Mirëpo këtë herë, dallimi është shumë i madh dhe i qartë. Në njërën anë janë ata që i kemi provuar, ata që na kanë dëshpëruar, ata që i takojnë së kaluarës së Dardanës. Në anën tjetër jemi ne që po vijmë, jemi ne që po e sjellim ndryshimin në Dardanë, jemi ne që po u tregojmë atyre që Dardana di të qeveriset mirë e ndershëm. Dhe kur them ne, mendoj ne qytetarët e Dardanës. Ne që nuk e duam korrupsionin. Ne që e luftojmë nepotizmin. Ne që e duam zhvillimin e barazinë. E ne jemi shumica”, tha Qëndron Kastrati.

Ai shtoi me tej se takimet që po i zhvillojmë për cdo ditë nëpër lagje e fshatra, nuk po janë takime të rëndomta. Ai tha se këto takime janë takime solidariteti, mbështetje e fuqizimi për projektin e ardhshëm të Dardanës.

“Në këtë kohë kur Dardanës i referohen si zorrë qorre e Kosovës. Në këtë kohë kur papunësia në këtë Komunë është 77%. Në këtë kohë kur të rinjtë nuk kanë mundësi të angazhohen e punësohen. Bujqit nuk mund ta shesin rendimentin. Bizneseve u kërkohet haraq, e pengohen investimet. Në këtë kohë, të dashur qytetarë, e vetmja zgjidhje është ndryshimi. Ndryshimi jo vetëm i emrit të udhëheqësit, por ndryshimi i mendësisë udhëheqëse”, tha po ashtu Kastrati.

Tutje, ai ka folur edhe për partnerin e koalicionit, AAK-në, për të cilët tha se ndonëse kanë pasur ofertë dy herë më të lartë nga të tjerët, kanë vendosur të bashkohen për ndryshim.

“Programi ynë për Dardanën është vizion. Planet tona nuk janë intervenime, por investim afatgjatë. Drejtësia, barazia dhe zhvillimi janë parime të cilat do të na udhëheqin në vazhdimësi. Kështu arsimin, ne e shohim si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Komunës tonë. Secili nxënës do të trajtohet barabartë, e secili punëtor arsimi do të zgjidhet me meritë”, ishte zotimi i Kastratit për qeverisjen e tij.

Ai u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të ketë shujta falas për nxënës, dollapë personal për secilin nxënës. kontrolla sistematike shëndetësore, kënde leximi e bibloteka, dhe bashkëpunim të rregullt mes shkollave e prindërve. Gjithashtu, ai u zotua se deri në përfundim të mandatit do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, përmirësim të shërbimeve në shëndetësi, rregullimin e problemit me ujërat e zeza, transparencë radikale dhe rritje të subvencioneve në bujqësi, kulturë e sport.

“Ju tashmë na jeni bashkuar dhe po i prini ndryshimit i cili po vije në Dardanë. Mua më mbetet vetëm të iu ftojë që të mobilizojmë edhe të tjerët,që të na bashkohen në këtë rrugëtim. Të angazhohemi që me 19 nëntor, përmes daljes masive në votime të tregojmë njëzëri, fuqishëm, që ndryshimi është ajo që ne duam. Dardanës do t’ia akthejmë dinjitetin, do t’ia kthejmë drejtësinë, do t’ia kthejmë solidaritetin e barazinë. E kështu, Dardanën do t’ia kthejmë qytetarit”, ishte porosia e Kastratit në tubimin e sotëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat