Shabani: PDK me ofertë serioze për qytetarët e Dragashit

Kosova

Shabani: PDK me ofertë serioze për qytetarët e Dragashit

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 12:14
Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani

Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani pret që në raundin e dytë të zgjedhjeve në balotazh që do të zhvillohen më 19 nëntor, do të jetë fitues kundër kandidatit të LDK-së.

Shabani në një intervistë për KP ka thënë se qytetarët e Dragashit kanë një arsye për të votuar kandidatin e PDK-së, për faktin se punën që e ka bërë kjo parti për qytetarët e kësaj komune gjatë gjithë kësaj kohe, është treguar se PDK-ja është e fuqishme, ka kapacitete për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për ngritjen e mirëqenies së tyre në përgjithësi.

Kandidati i PDK-së,  i cili ka një përvojë në udhëheqjen dy drejtorive komunale dhe në periudhën e fundit si kryesues i kuvendit komunal, ka thënë se i duhet mbështetja  e qytetarëve të Dragashit për kryetar të komunës, sepse PDK për këto zgjedhje ka ofruar një ofertë shumë serioze për mandatin katër-vjeçar qeverisës.

Shabani: Ne kemi një ofertë serioze për qeverisje

“Unë mund t’i garantoj qytetarëve tanë, se e njoh jashtëzakonisht mirë funksionimin e pushtetit lokal, i di të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen, duke filluar nga shërbimet deri tek hallet dhe problemet e tyre… Partia Demokratike e Kosovës për këto zgjedhje ka ofruar një ofertë shumë serioze për mandatin katër-vjeçare qeverisës. Në kuadër të platformës zgjedhore, jemi koncentruar t’i zhvillojmë aktivitetet tona për ngritjen zhvillimit ekonomik, dhe të gjitha këto kanë rezultuar edhe me nxjerrjen e prioriteteve tona, siç është bujqësia me degën e blegtorisë, turizmi si dhe energjia. Mbi të gjitha prioritetet tjera vazhdojnë të mbesin arsimi, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti, menaxhimi I mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të zeza”, theksoi Shabani.

Ai ka thënë se për çështjen e papunësisë, që mbetet sfidë për të, do të angazhohen që përmes një Zyre për Zhvillim Ekonomik dhe nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejt me Shoqatën e Afaristëve në këtë komunë do të arrijnë për gjenerimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu, sipas Shabanit, edhe hapja e komunës së Dragashit në raport me shtetet fqinje, e cila gjendet  në trekëndëshin me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, ka filluar të ketë një qasje të drejtpërdrejt me komunën e Mavrovës së Maqedonisë, si dhe krijimi i tri daljeve që tash janë edhe me Shqipërinë.

Të gjitha këto qasje me shtetet fqinje, sipas Shabanit, do të sjellin të mira materiale për qytetarët e Dragashit që të rritet niveli i këmbimeve dhe mallrave.  

Shabani: Papunësia sfidë për ne

“Një prej sfidave që mbeten, është çështja e papunësisë ndoshta siç do kund, por në komunën e Dragashi kjo çështje është më e theksuar për shkak te konfiguracionit dhe largësisë së qendrave të mëdha. Kjo mbetet sfidë dhe jam i gatshëm që të ballafaqohem me këtë sfidë. Po ashtu një sfidë tjetër do të mbetet edhe trajtimi i ujërave të zeza, për shkak se kjo çështje është një fushë shumë më e kushtueshme se të gjitha të tjerat. Ne fillimisht do të mundohemi ta bëjmë një projekt, ku do të planifikojmë mbledhjen e të gjitha ujërave të zeza dhe normalisht të konkurrojmë nëpër institucione ndërkombëtare, qoftë edhe në Qeveri, për faktin se buxheti I komunës së Dragashit është i limituar dhe nuk ka mundësi që ne ta përmbyllim trajtimin e ujërave të zeza”, theksoi ai.

 Kandidati Shabani, ka treguar se Dragashi ka potenciale zhvillimore në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, dhe premton për ta rregullimin e infrastrukturës rrugore, si dhe përkrahje e tyre për qendrat grumbulluese të produkteve.

Shabani: Përpjekjet tona janë të vazhdueshme për përkrahjen e fermerëve

“Komuna e Dragashit ka kapacitetet të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë dhe në veçanti me degën e blegtorisë. Fermerët tanë veç subvencionohen nga niveli qendror, mirëpo përpjekjet tona të vazhdueshme si pushtet lokal janë për rritjen e bashkëpunimit fillimisht me fermerët tanë, ne veç jemi në rrugë të mbarë për rregullimin e infrastrukturës për një qasje shumë më të lehtë të tyre tek tokat e tyre, te bartja e produkteve të tyre deri në qendrën komunale. Dhe aktualisht kemi tri qendra grumbulluese të qumështit që tashmë për fat të mirë kanë filluar edhe me prodhimet  tyre me dalë në treg”, potencoi Shabani.

Ai ka thënë se në Dragash ka kushte për grumbullimin e frutave të malit dhe prodhimin e mjedrave, si dha ka filluar një sipërfaqe me u kultivuar me fidanë të reja.

Shabani po ashtu ka thënë se tek çështja e zhvillimit ekonomik, komuna e Dragashit veç i ka të hequra taksat për ndërmarrjet e vogla të gjitha taksat komunale dhe nuk paguajnë bizneset.

Andaj, sipas tij, do të vazhdojnë edhe për katër vitet e ardhshme që këto taksa t’i mbajnë të hequra. Shabani tha se kjo do të thotë se për fazën e parë nuk e kanë asnjë lloj shpenzimi bizneset, por gjithsesi nëse ka nevojë ata do ta kenë edhe mbështetjen nga komuna për avancimin e një ideje, duke pasur edhe mbështetje financiare për aq sa ka mundësi komuna.

Po ashtu ai ka premtuar se turizmi do të mbetet një fushë e veçantë ku janë të angazhuar t’i shfrytëzojnë të mirat e Parkut Nacional Sharri.

 Kandidati Shabani në fund ka shtuar se në raundin e parë kanë pritur një rezultat ndryshe, por si do që të jetë në raundin e dytë janë ai tha se janë në pikën zero me kundër kandidatin dhe do të fillohet nga fillimi. Ai shprehet i bindur se jo që do të përmbyset ky rezultat, por PDK do të ketë një fitore të thellë në Dragash, për faktin se qytetarët e kësaj komune do ta mbështesin PDK-në, sepse ky subjekt ka dëshmuar me angazhim në mandatin e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat