Zyrtarizohen edhe këto kategori që lirohen nga pagesa në QKUK

Kosova

Zyrtarizohen edhe këto kategori që lirohen nga pagesa në QKUK

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 20:43
QKUK

Tashmë është bërë e zakonshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës forma e re që po zbatohet duke e bërë pagesën në mënyrë elektronike në hyrje dhe dalje. Edhe për kundër asaj që shumë qytetarë u ankuan nga ky sistem, të njëjtit po përballen me këtë formë tash e disa ditë.

Mirëpo, ekzistojnë disa kategori të personave për të cilët nuk vlen ky rregull i ri i pagesës.

Më herët, u raportua se lirohen nga kjo pagesë, pacientët ose shoqëruesit e tyre që janë në dializë, po ashtu njëjtë edhe pacientet e Onkologjisë, si dhe të gjithë zyrtarët me vetura zyrtare.

Por, për këtë kategoritë për lirimin e kësaj pagese vetëm po shtohen.

Me këtë rast, janë zyrtarizuar edhe dy kategori të tjera, e ato janë veteranët e UÇK-së dhe invalidët. Këtë e ka konfirmuar menaxheri i kontratës dhe zyrtari i IT-së në QKUK, Faton Hajzeraj.

Ai ka thënë se është dorëzuar tek pikat e pagesave lista e protokoluar për të gjitha kategoritë.
“ Prej tani janë të liruar nga pagesa edhe veteranët dhe invalidët, por vetëm se të njëjtit duhet të marrin shërbimin shëndetësor në QKUK d.m.th çdo invalid respektivisht veteran në qendrën e pagesës duhet të shfaqin raportin e mjekut të vulosur dhe protokoluar, përndryshe duhet të paguhet”, ka thënë Hajzeraj.

Më poshtë i keni kategoritë që lirohen nga pagesa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës:

1: Ndihma e shpejtë,

2: Policia,

3: Zjarrëfikësit dhe shërbimet tjera komunale,

4: FSK (Forca e Sigurisë së Kosovës),

5: KFOR,

6: EULEX,

7: Vizitat zyrtare nga institucionet,

8: Donatorët,

9 : Mjetet e përditshme të punës të kompanive punë kryese (kamionë, furgona, etj),

10: Invalidët dhe Veteranët – (por në pikën e pagesës duhet të arsyetohet me librezë apo kartelë të shoqatës po ashtu të bashkangjitur, raportin e mjekut kun ë raport duhet të  figurojë emri i tij dhe vula nga QKUK,

11: Gazetarët, (por duhet të arsyetohet në pikën e pagesës me lejen e lëshuar nga zyra e Informimit në QKUK”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Ndërkaq, duhet përkujtuar se kategoritë nuk kanë përfunduar pasi të njëjtat mund të pasurohen në rast se nga shoqata e tyre ka kërkesë, pastaj si komision vendoset nëse është për lirim apo jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat