12 Kandidatët që do të kërkojnë nga drejtorët regjistrimin e pronave në emër të përbashkët

Kosova

12 Kandidatët që do të kërkojnë nga drejtorët regjistrimin e pronave në emër të përbashkët

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 21:50
Foto ilustrim

Në raundin e dytë të debateve nëpër komunat të cilat kanë shkuar në balotazh kandidatët për kryetar komune janë përgjigjur në pyetjen se a do t’ua bëjnë kërkesë drejtorëve të tyre regjistrimin e pronave në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Nga 18 kandidatë të cilëve u është parashtruar kjo pyetje 12 prej tyre janë përgjigjur se kjo do të jetë kërkesë për drejtorët e tyre kurse 4 të tjerë kanë refuzuar t’ua bëjnë këtë kërkesë drejtorëve të tyre.

Të dy kandidatët për kryetar të Prizrenit, Rahovecit, Shtimes, Klinës dhe Obiliqit janë përgjigjur në Debat Pernime se regjistrimi i pronës në emër të përbashkët do të jetë kërkesë për drejtorët e tyre.

Kurse dy kandidatët e Vushtrrisë, njëri i Malishevës dhe një kandidat i komunës së Ferizajt kanë thënë se nuk do t’ua vënë këtë kusht drejtorëve të tyre.

Prizren

Në komunën e Prizrenit të dielën me 19 nëntor në balotazh do të përballen, Shaqir Totaj, kandidati i PDK-së i cili në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka marrë 19 mijë e 869 ose 29,75 për qind dhe Mytaher Haskuka nga VV i cili me 22 tetor ka grumbulluar 14 mijë e 967 ose 22,41 për qind të votave.

Kur kandidatët për kryetar të komunës të dytë më të madhe në Kosovë janë pyetur se a do t’ia vënë kusht drejtorëve të tyre që ta regjistrojnë pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre ata janë përgjigjur se këtë do t’ua sugjerojnë atyre.

“Drejtorëve do t’jua kërkojmë që pronën që e krijojnë bashkë me bashkëshortet e tyre ta regjistrojnë bashkërisht kurse nëse kanë pronë të trashëguar atëherë varësisht prej nga e ka prejardhjen do të regjistrohet në emër të njërit nga bashkëshortët”, është përgjigjur Totaj nga PDK.

Kurse kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka ka thënë se nuk e di a është legale vënia e këtij kushti.

“Nuk e di a është legale me ua kërku, a mundemi me i kushtëzu drejtorët me këtë çështje. Po natyrisht që do t’jua sugjerojmë. Besoj që kishte me ndiku pozitivisht”, ka thënë Haskuka në Debat Pernime.

Rahovec

Në komunën e Rahovecit, Smajl Latifi nga AAK ka marrë 7 mijë e 766 ose 33,50 për qind të votave dhe kryetari aktual Idriz Vehapi nga PDK ka grumbulluar 6 mijë 837 ose 29,50 për qind.

Kandidatë që do të jenë përballë njëri tjetrit të dielën e 19 nëntorit në Debat Pernime në raundin e balotazhit kanë premtuar që do ua kërkojnë drejtorëve që do t’i kenë në ekipet e tyre t’i regjistrojnë pronat në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Idriz Vehapi nga PDK ka deklaruar se do ta zbatoj ligjin dhe këtë do ua kërkoj drejtorëve të tij. Edhe kundërkandidati i Vehapit, Smajl Latifi nga AAK ka thënë se do ta bëj këtë pasi kjo është kërkesë ligjore.

“Po gjithsesi se tash është edhe kërkesë ligjore”, është përgjigjur Latifi.

Vushtrri

Në komunën e Vushtrrisë më 19 nëntor qytetarët do të zgjedhin mes Ferit Idrizit nga PDK i cili me 22 tetor ka marrë 10 mijë e 184 ose 33,29 për qind kurse Xhafer Tahiri, kandidati i LDK-së ka marrë 7 mijë e 842 ose 25,64 për qind të votave.

Asnjëri prej kandidatëve për kryetar të Vushtrrisë nuk ka premtuar që regjistrimin e pronave në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre t’ua vënë si kusht.

“Ajo është e drejtë e secilit e nuk i shkeli të drejtat e tyre”, është përgjigjur Idrizi.

Edhe Xhafer Tahiri nga LDK ka thënë se nuk do t’ua vë kusht drejtorëve të tij.

“Jo, nuk ua qes kusht por nëse duan të ndjekin shembullin e kryetarit është mirë që ta ndjekin”, ka potencuar Tahiri.

Shtime  

Naim Ismaili nga PDK dhe Fatmir Rashiti, kandidat i pavarur do të garojnë me 19 nëntor për të zënë karrigen e të parit të komunës së Shtimes. Ismaili nga raundi i parë ka arritur të dalë i pari me 4 mijë e 983 ose 38,61 për qind kurse Fatmir Rashiti është radhitur i dyti me 3 mijë e 474 ose 26,92 për qind.

Naim Ismaili në Debat Pernime ka thënë se do t’ua sugjeroj drejtorëve të tij që ta regjistrojnë pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Edhe kandidati i pavarur, Fatmir Rashiti ka premtuar që këtë do t’ua kërkoj njerëzve që do t’i udhëheqin drejtoritë në komunën e Shtimes.

“Ne vetëm kemi zyrtarë që e kanë bërë këtë veprim edhe të tjerëve kemi me ua kërku”, ka shtuar Rashiti.

Malishevë  

Në komunën e Malishevës Ragip Begaj nga Nisma me 22 tetor ka marrë 9 mijë e 015 ose 40,74 përqind kurse Mursel Gashi nga PDK ka grumbulluar 6 mijë e 116 ose 27,64 për qind të votave.

Sa i përket vënies si kusht regjistrimin e pronave në emër të përbashklët për drejtorët që do t’i emëroj nëse ai bëhet kryetar i Malishevës Ragip Begaj ka thënë se do të insistojnë por nuk do t’i detyrojnë.

“Ne do të insistojmë por nuk mund t’i detyrojmë, është çështje e tyre personale. Por kërkesë e jona do të jetë që ata me i regjistru pronat edhe në emër të bashkëshorteve të tyre”, është përgjigjur Begaj në Debat Pernime.

Kurse kandidati nga radhët e PDK-së, Mursel Gashi ka thënë se nuk do t’ua vë si kusht drejtorëve të tij regjistrimin e pronave në emër të përbashkët me bashkëshortet.

“Jo kusht nuk kam me bo, por kam me folë me ta”, është shprehur Gashi.

Klinë

Qytetarët e Klinës me 19 nëntor do të zgjedhin mes Sokol Bashotës së PDK-së i cili në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunës ka dalë i pari me 6 mijë e 816 ose 37,76 për qind dhe Zenun Elezajt nga AAK i cili ka dalë i dyti me 4 mijë e 594 ose 25,45 për qind të votave.

“Realisht do të mundohem që të gjithë ata gjashtë drejtorë që do të mbesin, se katër prej tyre do të jenë femra, do t’ua kërkoj këtë gjë”, është përgjigjur Sokol Bashota në Debat Pernime kur është pyetur se a do t’ua vë kusht drejtorëve të tij regjistrimin e pronës në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Edhe kundërkandidati i Bashotës, Zenun Elezaj nga AAK  është përgjigjur se gjithsesi që do ta bëj këtë.

Ferizaj

Në komunën e Ferizajt rezultatet e zgjedhjeve për kryetar të komunës me 22 tetor kanë nxjerrë të parin Agim Aliun nga PDK i cili ka marrë 19 mijë e 961 ose 39,16 për qind kurse pas tij është radhitur Muharrem Svarqa nga LDK me 15 mijë e 975 ose 31,34 për qind të votave.

Kur është pyetur Agim Aliu se a do t’ua vë kusht drejtorëve të tij regjistrimin e pronave në emër të përbashkët ai ka thënë se nuk do t’i kushtëzoj ata për këtë punë.

“Unë po besoj që është zgjedhje e tyre personale, pse t’i kushtëzoj për këtë punë”, ka thënë Aliu.

Kurse kryetari aktual i Ferizajt ka thënë se kjo është ide shumë e mirë se dhe do ta bëj këtë.

Istog  

Në debatin për komunën e Istogut për raundin e dytë të zgjedhjeve i pranishën në studio ka qenë vetëm kandidati i LDK-së Haki Rugova i cili është edhe kryetari aktual i komunës së Istogut.

Në raundin e parë të zgjedhjeve Rugova nga LDK ka dalë i pari me 8 mijë e 872 ose 45,36 për qind kurse pas tij është radhitur Gani Dreshaj nga AAK me 6 mijë e 970 ose 35,63 për qind të votave.

Në mungesë të Dreshajt në Debat Pernime vetëm Rugova ka pasur mundësinë të përgjigjet në pyetjen se a do t’ia vë kusht drejtorëve të tij regjistrimin e pronave në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

“Me ua qit këtë kusht të gjithë e bëjnë. Gjithsesi kam me ua kërku. Së pari do ta bëj vetë e pastaj do ua kërkoj atyre”, është shprehur Rugova nga LDK.

Obiliq  

Edhe në komunën e Obiliqit do të votohet të dielën për kryetar komune. Xhafer Gashi nga AAK me 22 tetor ka arritur të marrë  5 mijë e 837 ose 48,82 për qind kurse Mehmet Krasniqi, kandidati i LDK-së ka grumbulluar 3 mijë e 244 ose 27,13 për qind të votave.

Të dy kandidatët që garojnë për të parin e Obiliqit kanë thënë se do t’ua kërkojnë personave që do t’i emërojnë drejtorë që t’i regjistrojnë pronat në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

“Gjithsesi, nëse është e domosdoshme ata janë të obligueshëm me respektu ligjin”, është shprehur Gashi.

Kurse Mehmet Krasniqi ka thënë që në kuptim moral do ua kërkoj këtë gjë drejtorëve të tij.

“Nuk është çështje ligjore po në kuptim moral unë mendoj që ja vlen dhe do ta bëj”, është përgjigjur Krasniqi në Debat Pernime.

Të dielën me 19 nëntor do të kemi raundin e dytë të zgjedhjeve nëpër 18 komunat të cilat kanë shkuar në balotazh.

Në raundin e parë të debateve kallxo ka shkruar edhe për kandidatët për kryetar komune të cilët nuk e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat