Tre muaj zgjati ‘rruga’ e një ankese nga gjykata në Podujevë në Gjykatën e Apelit

Kosova

Tre muaj zgjati ‘rruga’ e një ankese nga gjykata në Podujevë në Gjykatën e Apelit

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 23:36
Gjykata e Apelit, Prishtinë

Para tre muajve qytetarja F.B. kishte bërë një ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Dega në Podujevë, drejtuar Gjykatës së Apelit. Por, ajo ende nuk ka marrë asnjë informacion se çka ka ndodhur me këtë ankesë, përkundër “çështjes së ndjeshme” siç e quan ajo.

“Qysh në muajin gusht të këtij viti kam bërë një ankesë në Gjykatën Themelorë në Prishtinë- Dega në Podujevë drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë dhe përkundër interesimit tim që të kuptoj se çfarë ka ndodhur me këtë ankesë, nuk kam mundur që të marr ndonjë përgjigje në lidhje me këtë çështje”, thotë F.B. për Kallxo.

Sipas F.B., ankesa ka të bëjë me një aktgjykim të Gjykatës në Podujevë në lidhje me besimin e fëmijëve pasi që gjykata kishte vendosur që fëmijën e moshës dyvjeçare t’ia besonte babait.

Pasi që kjo qytetare është ankuar në kallxo për këtë vonesë në marrjen e një përgjigjeje nga gjykata, monitoruesit e Kallxo kanë kontaktuar Zyrën për Informim të Gjykatës në Podujevë si dhe me Gjykatën e Apelit, duke i pyetur për arsyen e një vonese kaq të gjatë për transferim të një ankese nga Podujeva në Prishtinë.

Përgjigjja nga Gjykata në Podujevë është se e kanë pranuar këtë ankesë dhe se kjo lëndë pasi që është kompletuar më 31 tetor është transferuar për në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Ndërsa, në Gjykatën e Apelit thonë se ankesa ka arritur këtë muaj, më saktësisht më 1 nëntor.

Sipas Zyrës për Informim të Gjykatës së Apelit, “së shpejti” lënda do të ndahet në punë dhe do të vendoset sipas ligjit.

Në bazë të kësaj mund të vërtetohet lehtë se Gjykatës Themelore të Prishtinës, Dega në Podujevë i janë dashur plot tre muaj vetëm që të transferojë një lëndë nga Podujeva në Prishtinë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit edhe tri javë pas pranimit të lëndës nuk e ka ndarë në punën ankesën që po pret për shqyrtim që nga muaji gusht.

Kallxo raportoi në muajin tetor për rastin e një vonese tjetër të gjykatës, e cila i kushtoi me “burg shtëpiak” një nëne – viktimë e dhunës.

Vendimi për urdhër mbrojtjeje i Gjykatës asaj i ka shkuar 20 ditë pas lëshimit të këtij urdhri./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat