Dënohet me kusht kryetari në detyrë i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi

Kosova

Dënohet me kusht kryetari në detyrë i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 16:33
Salim Jenuzi

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, të martën, është dënuar me një vit burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse Jenuzi brenda periudhës prej dy vjetësh, nuk kryen vepër të re penale.

Kurse, Nexhat Selaj, është dënuar me gjashtë muaj burgim, për uzurpim të pronës së paluajtshme, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai brenda dy vjetësh nuk kryen vepër të re penale.

Ndërsa, të akuzuarit Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me arsye se nuk është vërtetuar gjendja faktike, sipas aktakuzës.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, pasi ka komunikuar vendimin e trupit gjykues, ka njoftuar palët që brenda 15 ditësh, pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, kanë të drejtë në ankesë, nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e gjykatës.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzonte Salim Jenuzin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Po ashtu, Bean Haxhihasani, akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka lëshuar vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohej se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohej se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat