AAK: Deklaratat e LDK-së, përpjekje për arsyetimin e humbjen në Istog

Kosova

AAK: Deklaratat e LDK-së, përpjekje për arsyetimin e humbjen në Istog

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 13:18
LDK - AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të LDK-së, pas numërimit të votave me postë në Komunën e Istogut, duke thënë se fitues në këtë komunë ka dalë kandidati Gani Dreshaj.

“Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë. LDK, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk kishte asnjë ankesë edhe pse shumica e votave me postë ishin për kandidatin e tyre në garën për kryetar të Istogut”, thuhet në reagim.

AAK përkujton kreun e LDK-së Isa Mustafa, se mbështetja me vota arrihet edhe përmes marrëveshjeve politike ashtu sikurse ka marrë mbështetje LDK nga AAK në garën për Prishtinë.

“Tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe humbja është pjesë e demokracisë, dhe ne presim që fituesi i këtyre zgjedhjeve në Istog, Gani Dreshaj të urohet nga të gjitha palët”, përfundon komunikata e AAK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat