Dramë në seancën gjyqësore për vrasje: Përfundon në pranga personi që u ftua si dëshmitar

Kosova

Dramë në seancën gjyqësore për vrasje: Përfundon në pranga personi që u ftua si dëshmitar

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 17:38
Foto ilustrim

Ishte personi i fundit që e takoi Fahri Bunjakun, foli me të dhe ishte jo më shumë se 20 metra kur Bunjaku u vra. Dëshmitari i së premtes, djalë i dajës i viktimës Fahri Bunjaku, i cili u vra për shkak të shitblerjes së kafshëve, nga të dyshuarit, tani në paraburgim, Sadar dhe Fejard Llugaliu, u ftua sot në cilësinë e dëshmitarit që të tregojë atë që di më së miri, por, u ballafaqua me deklaratat e tij të kaluara dhe nga përgjigjet e sotme. Dëshmia e tij nisi të ngritë dyshime, për shkak se fillimisht Potera tha se e donte shumë Fahriun, por më pas, në natën kritike, doli se nuk ishte interesuar fare për të, e as deshi të bisedonte më dikë të familjes për këtë çështje. Po për këto arsye, avokati Tomë Gashi kërkoi nga Prokuroria që Potera të ndalohet në gjykatë dhe të dërgohet në paraburgim, për shkak se, siç tha Gashi, “haptas po tregon se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes”. Express e përcolli seancën e sotme dramatike.

Kishte qëndruar me viktimën natën kritike, 1 minutë para se të ndodh?? vrasja, dëshmitari e kishte thirrur tani viktimën Fahri Bajrami në telefon. Kishte mbyllur telefonin sepse Fahriu u lajmërua, por nuk dëgjohej duke folur. Menjëherë pasi e mbylli telefonin dëgjoi krismat dhe nuk e thirri më Fahriun në telefon, edhe pse në momentin e krismave mendja i kishte shkuar tek ai, për shkak se e dinte historinë e konfliktit që e kishte tash i ndjeri me familjen Llugaliu.

Kështu, dëshmoi sot Bajram Potera, djalë daje i viktimës Fahri Bunjaku, i cili u vra më 7 shkurt të vitit të kaluar në Podujevë. Ai sot para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë tregoi se çfarë kishte biseduar me të ndjerin dhe ku kishin qenë atë natë kur ndodhi vrasja. Të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut janë Esat, Sadat e Fejard Llugaliu, por procedura ndaj Esatit është e veçantë për shkak se, për shkaqe shëndetësore gjendjet në QKUK për trajtim. Andaj të pranishëm sot në sallën gjyqësore ishin të akuzuarit që u sollën nga paraburgimi dhe familjarë të të ndjerit, si dhe dëshmitari Bajram Potera.

Me të filluar seanca gjyqësore e këtij rasti, disa herë Bajrami tha se nuk është i shkolluar, e “nashta edhe nuk di mirë me formulu fjali”. Këtë frazë e përsëriti disa herë gjatë dhënies së dëshmisë, kur merrej në pyetje nga prokurorja e Shtetit Besa Limani, por edhe nga avokati Tomë Gashi, i cili përfaqësonte palët e dëmtuara.

Në sallën e gjykimit ishte edhe vëllai i të ndjerit, Mensur Bunjaku, por edhe babai i të ndjerit, Avdyl Bunjaku. Derisa Potera u përgjigjej pyetjeve të parashtruara me “nuk e di, nuk më kujtohet”, Mensuri nuk u përmbajt në disa raste, duke u ngritur në këmbë dhe duke thënë se “duhet të përgjigjesh me po ose jo, s’ka ktu nuk e di, mu m’u ka vra vllau!”.

Por, çka e lidh Bajram Poterën me familjen Llugaliu? Vetë dëshmitari tregoi se bashkëshortja e tij, A. Llugaliu, këtë familje të të akuzuarve i ka kushëri, mirëpo siç tha ai, të largët. Disa herë gjatë seancës u pyet se a është takuar ndonjëherë me familjen ku bëjnë pjesë të akuzuarit, por ai u përgjigj se, edhe pse i kanë 7 vite martesë, atij i ka interesuar të takohej vetëm më miqtë e tij të afërt.

Prokurorja e Shtetit megjithatë, e ballafaqoi disa herë dëshmitarin, i cili ishte mjaft në siklet gjatë dhënies së dëshmisë së tij të premten, sidomos në situatat ballafaquese.

“Atë natë kur ka ndodh vrasja kam qenë në shtëpi, pastaj kam dalë me djemtë e dajës Agronin edhe Naserin, me ne ka qenë edhe vëllai i vogël i Agronit, Mirsadi. Ne kemi dalë më ble barna për babën”, tha Potera, derisa tregoi se nuk i kujtohet koha se kur kanë dalë të blejnë barna.

Ai tregoi se, pasi i kanë blerë barnat diku në një barnatore në Podujevë, ata kanë shkuar në një qendër tregtare aty pranë për të pirë kafe.

“Daja Agron ka ardhë m’ka marrë edhe m’ka thanë hajde po shkojmë po blejmë barna për babën, e masi i kemi ble ato kemi shku në restorant në qendrën tregtare...”, tregoi Potera dhe tha se pastaj pas kafes kanë shkuar në shtëpi.

Dëshmitari, por tani i ndaluar nga policia në Gjykatë, tha se në shtëpi nuk ka qëndruar shumë, ka marrë gruan dhe fëmijët e tij dhe kanë shkuar sërish në atë qendër tregtare, me qëllimin që fëmijët të luajnë me lodra në këndin e lodrave të qendrës. Pasi kanë arritur aty, Potera tha se në telefon e ka thirrur Fahriu dhe i ka thënë se po e presin të një kafiteri tjetër për të pirë kafe me shokët e tjerë, Ilir Cakiqi, Admirim Shabani, Flamur Shabani dhe Arafat Feta.

Në atë takim, Potera tha se gjithçka ishte e zakonshme, biseduan për gjëra të zakonshme, por edhe prej atij lokali kishin dalë të gjithë sëbashku. Por, me të dalë nga ai lokal, tani viktima Fahriu dhe Arafat Feta, dëshmitari tha se nuk deshën të vazhdojnë të pinë edhe nga një kafe në një lokal tjetër.

“Pastaj kemi dalë me shku me ni lokal tjetër për ka ni kafë, po Fahria edhe Arafati nuk erdhën me neve. Arsyeja pse Fahriu nuk erdhi ishte se ai tha që ishte lodhë edhe po shkon në shtëpi, e na katër të tjerë kemi shku në kafiterinë “...””, tha dëshmitari.

Në deklaratën e tij të dhënë më datën 11.07.2017 në Prokurori të Shtetit, prokurorja Limani tha se dëshmitari ka deklaruar se pasi kanë dalë nga ai lokal, Bajram Potera i ka kërkuar Fahri Bajramit që ta përcjellë deri te vetura, pasi sipas tij, ai e dinte që Fahriu kishte probleme me familjen Llugaliu.

“Deshta me përcjell Fahriun sepse e kom ditë që raportet me familjen Llugaliu i ka pasë shumë të kqija”, kishte thënë dëshmitari në Prokurori, dhe për këtë deklaratë sot ai tha se është e vërtetë, por kur u pyet paraprakisht nuk iu kujtua kjo pjesë.

“Me Ilirin, Flamurin edhe Admirimin kemi shku në kafiq, e Fahriu me Arafatin janë nis për shpi”, tha dëshmitari, mirëpo tregoi se Ilir Cakiqi hyri i fundit në lokal, pasi i kishte thënë atij që po shkon të blejë cigare.

“Nuk u ulëm hiç, si kena hi i kena dëgju krismat, shumë krisma”, tha Potera. Mirëpo, shtoi ai, në ato momente kur janë dëgjuar të shtënat, Ilir Cakiqi kishte ikur dhe nuk u kishte thënë atyre asgjë.

“Menjëherë më ka shku mendja te daja Fahri. Nuk kemi qëndru shumë para lokalit, kemi shku te kerri, e rrugës më ka thirrë Arafati në telefon. E di që ka folë diçka po nuk e mbaj mend. Unë e kom pytë ku është daja disa herë. Ai më tha se daja ka hi diku me ni shpi, s’mujke me fole Arafati se merrke shumë frymë”, dëshmoi Potera.

Në vazhdim të dëshmisë ai tha se, pasi kishte dëgjuar të shtënat, edhe pasi në ato momente i kishte ra ndërmend Fahri Bajrami, duke e ditur konfliktin që e ka pasur ky i fundit me familjen Llugaliu, ai nuk ka biseduar me askënd atë ditë lidhur më këtë rast. Madje, edhe pasi kishte shkuar në shtëpinë e tij, Mensuri, vëllai i të ndjerit, e kishte thirrur Poterën në telefon pothuajse 30 herë, por ky i fundit kishte refuzuar të përgjigjej. 

Këtu nisi gjithçka, pasi prokurores, trupit gjykues dhe avokatit të palës së dëmtuar iu duk e çuditshme se si Bajram Potera nuk ishte interesuar fare për djalin e dajës së tij, për të cilin gjatë gjithë gjykimit tha se e donte shumë dhe ishte shumë i afërt me të, se si nuk u lajmërua kur vëllai i Fahriut, Mensuri, e thirri atë në telefon.

Për tëra këto dyshime që u ngritën gjatë seancës, Potera kishte një përgjigje: “nuk e di, nuk e di pse nuk jam lajmëru, nuk e di pse nuk e kam thirrë askënd, nuk e di pse nuk kam folë me askënd”.

“Unë kom gabu që s’ja kom çel telefonin dajës Mensur”, tha mjaft i penduar dëshmitari Potera.

Bajram Potera një ditë para se të ndodhte vrasja, ishte larguar nga puna ku ishte i punësuar të Mensur Bajrami. Arsyet e kësaj, ai nuk i tregoi, por as nuk ishin në interes të trupit gjykues të dihen pasi nuk ndërlidheshin me rastin e vrasjes.

“Pas rastit jam idhnu me Mensurin se m’i ka thanë do fjalë të rana. M’ka thanë ‘kush e ka qitë Fahriun në pritë?’. Për këtë arsyje jam idhnu me të”, tregoi Potera. Pas kësaj deklarate, Mensur Bajrami u ngrit në këmbë mjaft i tensionuar dhe tha “oo mu m’u ka vra vllau”.

Të njëjtën pyetje që ia ka bërë vëllai i viktimës Bajram Poterës, sot në sallë ia bëri edhe avokati Tomë Gashi.

“A e ke qit ti në pritë Fahrinë?”, pyeti Gashi. “Jo, larg asaj, as era nuk i vjen kësaj pune”, tha Potera.

Në deklaratën e dhënë në prokurori, dëshmitari Potera kishte thënë se pas orës 12 të mesnatës, e kishte lajmëruar në telefon Ilir Cakiqi dhe i kishte treguar se Fahriu ishte plagosur, por sot, dëshmitari e tha të kundërtën.

“Më ka thirrë Besi (vëllai i Mensurit)”, tha dëshmitari, por për deklaratën e tij të mëhershme tha “qështu kom deklaru në prokurori, po kom gabu, s’më ka shti kërkush me thanë që Iliri më ka thirrë, s’kam folë me Ilirin atë natë”, tha ai.

Menjëherë pas kësaj, gjyqtari i trupit gjykues e pyeti dëshmitarin se mos e ka kërcënuar ndokush pasi tash po e ndërron tërësisht deklaratën dhe nuk dukej dhe aq i qetë në dhënien e saj, mirëpo Potera tha jo.

Avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi kërkoi që dëshmitari të paraburgoset dhe të arrestohet, sepse, sipas Gashit, ai ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Fahri Bunjakut.

“Haptas po tregon që ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes”, tha Gashi, duke i propozuar prokurores të sjellë vendim të menjëhershëm për ndalimin e tij sa ishte në gjykatë.

“Besoj se edhe prokurorja në bazë të aktakuzës, e cila tregon se ka edhe persona të tjerë të dyshuar, por të paidentifikuar, ndoshta kjo mund të na çojë në zbardhjen e këtij rasti, që të identifikohen edhe personat e tjerë”, tha avokati Gashi.

Gashi insistoi se dëshmitari duhet të arrestohet dhe ashtu u bë. Prokurorja Besa Limani e mendoi të njëjtën gjë dhe Poterës iu vunë prangat në duar.

“Indikacionet janë tepër të hapura se ky dëshmitar ka qenë i involvuar në vrasjen e Fahrisë”, tha Tomë Gashi.

Për këtë çështje i tha edhe pak fjalë vetë Bajram Potera: “Unë për këtë punë s’kam kurgjo, tjetër sen nuk di, unë jam i paqt, nuk kam fshehur asgjë. Dajt e mi janë t’u u ngutë pak, unë s’kam punë kurgjo këtu”, tha Potera krejt në fund, para se t’i lidheshin duart dhe seanca të përfundojë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Fahri Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij, e pastaj duke e goditur me shkopinj druri. Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK.

Të akuzuarit e këtij rasti nuk e kanë pranuar fajësinë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e ardhshme e këtij rasti u caktua të mbahet më 15 janar 2018, kur do të dëgjohen tre dëshmitarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat