MASHT synon reformimin e sistemit të arsimit për rezultate më të mira për nxënësit

Kosova

MASHT synon reformimin e sistemit të arsimit për rezultate më të mira për nxënësit

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 17:34
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë gjatë ditës së sotme zhvilloi debat publik me përfaqësues të drejtorive komunale

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë gjatë ditës së sotme zhvilloi debat publik me përfaqësues të drejtorive komunale, me temën "Profilizimi i mësuesve nga klasa 1-5”, ku u diskutua për gjetjen e reformave më të mira për përgatitjen sa më të mirë të nxënësve të këtij niveli.

Gjatë debatit që po mbahet në Prizren, theks i veçantë iu dha çështjes së profilizimit vertikal dhe horizontal, ku përfaqësues të MASHT-it e të drejtorive komunale që dhanë mendimet e tyre lidhur me mësimdhënien në ciklin e ulët të shkollave fillore, u gjetën të ndarë për atë se cili profilizim është më adekuat.

 Këshilltari i ministrit të Arsimit, Arben Dermaku, tha se ky debat po zhvillohet për të gjetur rrugën më të mirë që nxënësit që përfundojnë klasën e 5-të, të dalin sa më të përgatitur në ciklin e mesëm të shkollës fillore, përkatësisht klasën e 6-të, dhe se si i tillë nuk ndahet në ide pro dhe kundra.

 Dermaku: Po diskutojmë se si të arrihet që fëmijët e klasës së pestë të mbërrijnë në të gjashtën

 "Ne po propozojmë që nxënësit prej klasës së parë deri në të pestën, probaliteti me qenë 5 mësues që nuk punojnë është më i vogël. Kështu që fati është që 2-3 mësues prej 5-ve punojmë më shumë. Dhe këta 2-3 mësues punojnë më shumë me përgatitjen e fëmijëve për klasat e 6-ta. Ne nuk po diskutojmë këtu pro dhe kundër, ne të gjithë po diskutojmë për me mbërri fëmija në klasën e 6-të me atributet që i takojnë dhe me ato objektiva që i ka shkolla për ata fëmijë me i mbërri", tha ai.

 Zyrtarja nga Divizioni për Zhvillim të Mësimdhënësve Igballe Cakaj tha se inkuadrimi i mësimdhënësve jo të kualifikuar në këtë nivel i ka shtyrë të mendojmë dhe të gjejmë zgjidhje për këtë çështje. Ajo tha se punëdhënësit janë ata që kur dëshirojnë të bëjnë ndryshime duhet të kenë parasysh se edhe 30 vite Kosova ka mësimdhënës të kualifikuar në sistem.

 Cakaj: Nga viti i ardhshëm pritet vlerësimi i mësimdhënësve

 "Kur dëshirojmë të bëjmë ndryshime në këtë nivel, siç e thanë edhe parafolësit, duhet të kemi parasysh që këtu kemi një përqindje bukur të madhe të mësimdhënësve në sistem, të cilët janë të licencuar. Ministria e Arsimit, ka dhënë licenca me karrierë të këtyre mësimdhënësve dhe nga viti i ardhshëm parasheh vlerësim të performancës dhe avancim", tha ajo.

 Cakaj ngriti edhe çështjen e grumbullimit të nxënësve të klasave të para tek një mësues, përderisa tha se ka paralele të mësuesit e të cilave marrin vetëm 4 nxënës.

Cakaj: Nxënësit duhet të ndahen në bazë të standardit

"Nuk guxojmë të themi, që katër nxënës janë në një paralele, ndërsa 42 nxënës janë me një paralele tek një mësimdhënës tjetër, i mirë ose i shkëlqyeshëm. Kush e bënë këtë ndarje? Pse nxënësit nuk ndahen në bazë të standardit që duhet të jenë?", u shpreh ajo.

Profesori i matematikës, Sabri Tahiri, tha se tema e debatuar sot ka shumë rëndësi pasiqë niveli i ulët është baza e arsimit.

 Sipas tij, edhe rezultatet e PISA-s tregojnë se vëmendje e madhe dubet të iu jepet fëmijëve që janë në ciklin e ulët të shkollave fillore, pasi që aty merren hapat e parë drejt dijes.

Tahiri: Unë jam për profilizim vertikal

"Unë së pari do të kisha me shtrua çështjen se a do të ndodhë profilizimi i quajtur horizontal sipas klasëve, apo vertikal, sipas fushave. Së pari duhet të japim përgjigje për këtë dhe të jemi për njërën apo tjetrën... Nga ky debat ne duhet të dalim me një platformë se si duhet të shkojmë në të ardhmen. Ndërsa unë si profesor mendoj se profilizimi është më se i nevojshëm dhe atë, jam për profilizimin vertikal", u shpreh ai.

Dhënia e të gjitha lëndëve nga një mësues, sipas tij nuk japin rezultate të të mira, dhe për këtë ai tha se përkrahë më shumë profilizimin vertikal, pasi që sipas tij, jo rezultate më të mira. Ndërkaq ndryshe del të mendon Feime Llapashtica nga Departamenti i Plan programeve, e cila tha se profilizimi sipas lëndëve do të bënte që secilit mësimdhënës t'i interesonte lënda e vet dhe jo lëndët tjera.

Ajo shpjegoi se si këtë vit janë duke u hartuar kurrikulat e lëndëve zgjedhore për klasat e para, të gjashta dhe të nënta. Ndryshe, diskutimi do të zgjasë deri në orët e vona për të vazhduar edhe nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat