Kandiç: Serbia nuk ka vullnet të përballet me të kaluarën në Kosovë

Kosova

Kandiç: Serbia nuk ka vullnet të përballet me të kaluarën në Kosovë

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 00:46
Konferenca

Problemi më i madh në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë është përballja me të kaluarën dhe pranimi i një rrëfimi të përbashkët lidhur me këtë të kaluar. Kështu u tha të enjten në një diskutim të Forumit të Shoqërisë Civile që u mbajt në Prishtinë në kuadër të një serie takimesh të këtij forumi për Ballkanin Perëndimor.

Veprimtarja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, tha se për ta njohur të kaluarën duhet të ketë vullnet politik, i cili, sipas saj mungon në Serbi ku nuk ka gatishmëri për t'u marrë me çështjen e Kosovës, të flitet për të kaluarën dhe të merret përgjegjësia për këtë të kaluar.

“Nuk ka pritshmëri, unë nuk shoh ndonjë mundësi që Serbia të ketë së shpejti politikanë që do ta hapin këtë çështje... Pas Zoran Zoran Gjingjiqi, që është vështirë të flitet për qasjen e tij sepse ai e ka prekur çështjen e Kosovës pa e kuptuar thellësisht se çfarë ka qenë qasja e tij, erdhën të tjerë të ashtuquajtur demokratë por pozita e tyre nuk dallonte nga pozita e (Slobodan) Millosheviqit. Ishte pozitë e politikanëve që vazhdojnë të thonë se Kosova është pjesë e Serbisë, se ushtria serbe u mundua të mbrojë serbët gjatë luftës në Kosovë, por pa përmendur krimet që janë kryer”, tha ajo.

Publicisti dhe analisti Veton Surroi tha se Kosova dhe Serbia që kur kanë filluar bisedimet në Bruksel kanë humbur kohë në çështje jo të rëndësishme.

"Kosova dhe Serbia e kishin dhe e kanë një zgjidhje që të arrijnë një marrëveshje për të ardhmen, ta përkufizojnë dhe ta planifikojnë me kujdes këtë të ardhme si dhe të zhvillojnë parimet e bashkërendimit për këtë të ardhme. Por që nga viti 2011 e deri më tani, Kosova ka shpenzuar kohë duke negociuar se çfarë targash të automjeteve mund të kalojnë nëpër Serbi dhe se çfarë targash mund të vijnë nga Serbia për në Kosovë. Pas zgjidhjes së kësaj, për atë se çfarë karte të sigurimit mund të kesh dhe se cila kompani mund ta lëshoj atë e të tjera.. e kjo është një sasi e madhe e energjisë, parave, kohës dhe mbi të gjitha vullnetit politik e shpenzuar gabimisht në gjëra të kota”, tha ai.

Sipas zotit Surroi, përqendrimi në këto tema në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka bërë që në Kosovë të lihen anash tema të tjera shumë të rëndësishme, me theks të veçantë gjendja e grave në shoqëri dhe arsimi.

“81 për qind e grave në moshë pune në Kosovë, qëndrojnë në shtëpi, kjo është 474 mijë gra, dhe ky nivel i joaktivitetit të grave ndodh vetëm në katër shtete të tjera, të gjitha në zona lufte. Pra Kosova i trajton gratë njëjtë sikurse Siria, Iraku, Palestina dhe Afganistani... Si u bë Kosova shtet i kapur, shumë diskriminues ndaj grave dhe më i keqi në fushën e arsimit përkundër investimeve të jashtëzakonshme të komunitetit ndërkombëtar? Pse është Serbia më pak demokratike dhe më pro ruse edhe pse kandidate për anëtarësim në BE? Dhe çfarë ndodhi me Bashkimin Evropian dhe kushtëzimet e tyre, shtytjen e tyre?”.

Megjithatë, zonja Kandiç tha se kushtëzimi që Bashkimi Evropian u ka vënë Serbisë dhe Kosovës për normalizim marrëdhëniesh, si dhe bisedimet e Brukselit i kanë anët pozitive.

"Në këtë kuptim mendoj se dialogu i Brukselit nuk është aq negativ, dhe nuk është proces pa rezultate por tani çka është e rëndësishme është se kemi politikanë në rajon që nuk janë të aftë të bëjnë diçka pa ndërkombëtarët, veçanërisht pa BE-në. Procesi i Berlinit me të gjitha vendet e rajonit të përfshira, me Slloveninë dhe Kroacinë anëtare të BE-se të përfshira, mendoj se paraqet një strukturë të mirë për të parë se pajtimi është përparësi dhe çështje shumë e rëndësishme”, tha zonja Kandiç.

Sipas saj, mekanizmat e Bashkimit Evropian duhet të mbështesin më shumë ndërtimin e paqes dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat