Reçica: Siguria dhe shëndeti në punë janë bazë e mirëqenies sociale

Kosova

Reçica: Siguria dhe shëndeti në punë janë bazë e mirëqenies sociale

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 12:35
Skender Reçica

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se siguria dhe shëndeti në punë janë bazat e një mirëqenie sociale të punonjësve dhe familjarëve të tyre, dhe këtë e fuqizon përkrahja legjislative, duke marrë praktikat më të mira të BE-së.

Ai këto komente i bëri në konferencën mbi “Qëndrueshmërinë dhe Implementimin e Legjislacionit të Harmonizuar për Siguri dhe Shëndet në Punë”, projekt ky i financuar nga BE implementuar nga Archidata, në bashkëpunim me MPMS-në.

Ministri Reçica tha se MPMS e ka kuptuar rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit andaj edhe ka bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Evropian, falë të cilit është mundësuar të kemi një legjislacion të harmonizuar. 

Duke folur për projektin rreth  qëndrueshmërisë dhe implementimit të legjislacionit të harmonizuar nga fusha e kushteve të punës, kreu i MPMS-së tha se duhet bërë përpjekje për promovim të qëndrueshmërisë të arritjeve të projektit dhe zbatim të legjislacionit të ri të harmonizuar me atë të BE-së. 

Ministri theksoi vizionin e MPMS-së për ndërtimin e një shoqërie ku mbrojtja sociale dhe gjithëpërfshirja për qytetarët është e siguruar për një jetë me dinjitet ekonomik e social, përfshirë kushtet e përshtatshme për punë dhe mundësitë e barabarta për punësim.

Ai foli edhe për rastet e shpeshta të incidenteve në vendin e punës në Kosovë dhe gjithashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të rregulloreve që janë pjesë e akteve nënligjore, si nga punëdhënësit ashtu edhe të punëmarrësit.

Kurse, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad falënderoi ministrin Reçica për angazhimin dhe bashkëpunimin korrekt. Chlad tha se projekti ka për qëllim të kontribuojë në sjelljen praktikave të mira nga BE-ja në përmirësimin e kushteve të punës në Kosovë duke theksuar se siguria dhe shëndeti në punë janë kushte të cilat duhet të përmirësohen nëpërmjet përmirësimit të standardeve të sigurisë dhe implementimit të plotë të legjislacionit në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat