ZRRE njofton se çmimi i rrymës do të rritet për 18.7%

Kosova

ZRRE njofton se çmimi i rrymës do të rritet për 18.7%

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 20:59
Ilustrim

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, nga raportimi para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, solli dy lajme. I pari se çmimi i rrymës do të ngrihet për 18.7% kurse i dyti se qytetarët e pjesës tjetër të vendit nuk do të paguajnë më për rrymën që shpenzojnë banorët në veri të vendit, për të cilët nga viti 2012 kanë shpenzuar mbi 50 milionë euro, por që nuk kanë paguar asnjë cent. Sidoqoftë, ZRRE-ja paralajmëron krizë energjetike nëse shteti nuk ndërhyn.

Çmimi i rrymës do të rritet për 18.7% për shkak të përgjysmimit të prodhimit nga KEK-u dhe rritjes së importit. Kështu paralajmëruan përfaqësues të ZRRE-së në takimin informues me komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik. Ata thanë se situata është shumë më e rëndë sesa duket në publik, andaj kërkuan ndërhyrjen e shtetit.

“Tash o duhet të shtohet importi o duhet të behën reduktime, nëse shkon deri në fund të marsit me këtë trend diku 19 milion humbje për muaj, atëherë presim diku 18.7 % do të ketë rritje nëse nuk ndryshon gjendja, ose nëse nuk ulet importi ose çmimi i importit ose nëse nuk rritet gjenerimi i termocentralit” ka thënë Arsim Janova, ushtrues detyre i kryetarit të bordit të ZRRE-së .

Zyrtarë të ZRRE-së njoftuan gjithashtu se qytetarët nuk do të paguajnë më për rrymën e shpenzuar në veri të vendit, sepse vendimi gjyqësor i ka vënë në situatë të rëndë. Ata sqaruan se nga viti 2012, kosovarët e pjesës tjetër të vendit, paguan mbi 50 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga ata në veri të Kosovës.

Pasi iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve, Janova nga ZRRE-ja tha se duhet urgjentisht ndërhyrja e institucioneve për t`i zgjidhur problemet në këtë sektor. E kryetarja e komisionit Sala Berisha Shala, tha se si konkluzion nga takimi është kërkesa për qeverinë dhe kuvendin që të plotësohet sa më parë bordi i ZRRE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat