Deri të shtunën mot i butë, javën e ardhshme ftohtë

Kosova

Deri të shtunën mot i butë, javën e ardhshme ftohtë

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 12:13
Ilustrim

Rrymat e ngrohta ajrore nga Mesdheu që janë shtrirë ditëve të fundit mbi rajon, do të vazhdojnë të mbesin mbi rajon edhe ditëve të ardhshme, megjithëse sot më vonë një front i ftohtë, nga Europa qëndrore do të kaloj edhe mbi vendin tonë, që do të sjellë reshje të dobëta shiu.

Të enjten dhe të premten do të vazhdojë të mbajë mot i butë, me vransira dhe intervale me diell. Të premten pasdite dhe në mbrëmje vende-vende do të ketë edhe riga lokale shiu.

Në fundjavë, më pas pritet ndryshim i motit, ku të shtunën do të mbajë mot i butë, kryesisht me vransira dhe erë, kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu. Më vonë reshjet do të jenë më të qëndrueshme, e në mbrëmje vonë, me afrimin e masave të ftohta ajrore do të shndërrohen në borë. Nga dita e diel dhe javën e ardhshme, sipas parashikimeve të fundit, një valë e të ftohtit do të kaplojë rajonin tonë, që do të sjellë mot të ftohtë dhe kohëpaskohe me reshje bore.

Temperaturat e ajrit deri të shtunën do të mbesin mbi vlera mesatare, me minimale nga 3C deri 5C, e maksimale që do të luhaten nga 10C deri 12C. Nga dita e diel, minimalet do të zbresin në 0C, e të hënën në -3C, ndërsa maksimalet do të zbresin në 3C, e më pas +1C.

Sipas tendencave të fundit gjatë javës së ardhshme na presin edhe ditë të akullta, ku temperaturat maksimale do të mbesin nën 0C.

Do të fryejë erë mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme nga jugu-jugperëndimi 4-14m/s, e ditën e diel nga veriperëndimi. Shtypja atmosferike do të zbres nën vlera normale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat