Dreshaj: Kadri Veseli me loçkë të zemrës e dëshiron fitoren time në Istog

Kosova

Dreshaj: Kadri Veseli me loçkë të zemrës e dëshiron fitoren time në Istog

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 19:02
Gani Dreshaj

Gani Dreshaj, kandidat i AAK-së për komunën e Istogut, po thotë se është i bindur që këtë komunë do ta fitojë edhe në zgjedhjet e së dielës.

Madje për fitoren e tij, Dreshaj bën të ditur se po punon edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli, e po ashtu edhe anëtarë të Vetëvendosjes. Kryetarin e deritashëm të kësaj komune nuk po e duan më as njerëzit e LDK-së e as qytetarët, thotë Dreshaj.

Haki Rugova sipas tij, është një mashtrues dhe shantazhues.

Komuna e Istogut për të tretën herë radhazi do të shkojë në rivotim. Krejt kjo situatë po ndodh pasi Istogu në zgjedhjet lokale nuk arriti që më të parën të nxjerr fitues ndonjërin kandidat, për të shkuar edhe njëherë në balotazh me dy garues, Haki Rugovën e LDK-së dhe Gani Dreshajn e AAK-së.

Por, as pas këtij rezultati Istogu nuk u bë me kryetar. Dyshimet për manipulim të votave me kusht e që i kishte vërtetuar edhe Gjykata Supreme, rezultoi që kjo komunë të shkojë në rivotim.

Hyrja në rivotim, për të treten herë, nuk po e frikëson kandidatin e AAK-së për këtë komunë. Dreshaj thotë për Express se do ta fitojë bindshëm këtë komunë dhe se ka qëllim ta largojë këtë qeverisje siç e quan ai të keqe. Thotë se ai që punon me të, e di, se nuk duhet me vjedh.

“Jam më se i bindur që kam me fitu bindshëm. Edhe Veseli me loçkë të zemrës është angazhu me PDK’në edhe këta djemtë e Vetëvendosjes, jemi bo bashkë me e hek këtë qeverisje të keqe, nuk kemi qëllime me vjedh, kështu e kemi bo pajtimin, ai që do me punu me mu me vjedh nuk ka, kemi programe të përbashkëta, ne jemi komunë e vogël me rëndësi është me menaxhu mire dhe mos me vjedh. Jam i bindur që kemi koalicione që kanë vlerë dhe peshë dhe e di që nuk e kanë me fjalë por me plot zemër janë bashkë”, vlerëson ai.

Haki Rugova nga ana tjetër nuk po lëshon pe. Njëjtë sikurse Dreshaj, edhe vetë ai, thotë se do ta fitojë përsëri Istogun, bastionin e pakontestueshëm deri më tani të LDK-së. Por këto deklarata po i sheh shumë qesharake kandidati i AAK-së, duke e quajtur atë edhe rrenacak.

“Pasha zotin atij marre s’pi vike marre, me rrejt në Televizion burri plak e krejt dynjaja e din që s’ka lanë firmë pa kushtëzu, tash ala osht tu ju marr pare për fushatë me zor firmave të LDK-së, sa më thirri njani me tregoj se u lodh prej tina tu ja marr përqindjen. Këtë LDK po dojnë me rrëzu. Edhe LDK-ja janë mërzit nga këto sene, që shtatë vjet që nga vdekja e Fadil Featit nuk e gjoj një projekt diku. I ka harxhit paret e tatim paguesve vend e pa vend, ka ble shpija në Vjenë. Unë kam info nga LDK se ka qarkullime bankare që ka çu pare me gjysmë milioni, i ka bo katër a pesë firma”, shton Dreshaj.

Madje së fundmi thotë se e ka hapur edhe një firmë në Suharekë dhe se nipit të drejtorit ia ka dhënë mbikëqyrjen e rrugëve. Ai thekson se është një krim i një grupi të vogël të njerëzve që po e bëjnë këtë pasi siç shprehet ai, të gjithë anëtarët e kësaj partie nuk janë kështu.

“Shumica dojnë me e hek sepse ia u ka pi gjakun Istogut. Unë s’kom pa që kanë me u mobilizu kaq shumë kundër Rugovës, njerëzit nëpër borë e nëpër shi, ditën e natën janë të gatshëm me dalë për mem votu”, tha Dreshaj ndërj tjerash.

Dreshaj foli edhe për premtimet e tij për këtë komunë. Tha se do t’u ndërtoj një konvikt studentëve të Istogut.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Haki Rugova kishte marrë 51,88%, ose 9247 vota, teksa 48,12% ose me vota 8576, Gani Dreshaj.

Por, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për komunën e Istogut, Gani Dreshaj e kishte përmbysur rezultatin duke fituar 1475 votat me kusht kundrejt kundërkandidatit të tij, Haki Rugova me 133, ndërsa vota të pavlefshme ishin gjithsej 5.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat