Imri Ahmeti betohet si kryetar i Lipjanit

Kosova

Imri Ahmeti betohet si kryetar i Lipjanit

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 21:38
Betohet kryetari i rizgjedhur i komunës Imri Ahmeti, njëherit Daut Azemi, zgjedhet kryesues i Kuvendit Komunal të Lipjanit

Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka dhënë betimin në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Lipjanit që është mbajtur sot në sallën e Kuvendit Komunal në praninë e anëtarëve të rinjë të Kuvendit dhe mysafirëve të tjerë.

Mbledhjen e ka udhëhequr anëtari më i vjetër i Kuvendit të Komunës, Nazmi Krasniqi nga radhët e PDK-së. Gjithashtu gjatë kësaj seance u bë edhe betimi i 31 këshilltarëve të rinjë të kësaj legjislature që kanë dalë si rezultat nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit të këtij viti. Gjatë kësaj seance Daut Azemi u zgjedh me shumicë votash kryesues i Kuvendit Komunal.

Kryetari i Komunës Imri Ahmeti pas betimit të dhënë ju është drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, ku ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Lipjanit pa dallim dhe me të gjitha strukturat e partive pa dallim në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të Lipjanit, qytetit dhe fshatrave të komunës.

“Na presin shumë sfida, sigurisht nuk janë të lehta dhe duan zgjidhje por bashkë me të gjithë qytetarët dhe strukturat e tjera politike e shoh të mundshme që Lipjanin ta shëndrrojmë në një qytet atraktiv, që fshatrat tona të zhvillohen edhe më fuqishëm. Jam shumë i sigurt që Lipjanin do ta bëjmë një komunë atraktive ku mund të jetohet dhe të punohet lirshëm, ku mund të krijohet një ambient i qetë i të jetuarit dhe të punuarit ashtu siç duhet dhe siç na ka hije qytetareve lipjanas”, ka thënë Kryetari Ahmeti. 

Kryetari Ahmeti ka bërë thirrje që të gjithë së bashku të angazhohemi në të mirë të qytetarëve të Lipjanit, ai ka ritheksuar se do të mbetet konsistent mbi parimet e tij duke besuar në ligj dhe në Zot dhe se vetëm me punë mundë ta ndryshojmë Lipjanin.

Image

Daut Azemi, zgjedhet kryesues i Kuvendit Komunal të Lipjanit

Gjatë seancës inauguruese të Kuvendit Komunal të Lipjanit që u mbajt sot, pas procesit të betimit të kryetarit dhe 31 këshilltarëve të zgjedhur në zgjedhjet e 22 Tetorit të këtij viti Daut Azemi u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të Lipjanit. 

Daut Azemi ishte kandidati i vetëm i propozuar për kryesues të Kuvendit.

Me këtë rast kryesuesi i zgjedhur, Daut Azemi ka falënderuar kryetarin e Komunës Imri Ahmetin, strukturat e LDK-së dhe koalicionit  këshilltarët për besimin e dhënë që të udhëheq për katër vitet e ardhshme Kuvendin Komunal të Lipjanit duke u zotuar se do të bashkëpunoj ngushtë me të gjithë këshilltarët në interes të qytetarëve të kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat