RrGK mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj - Bota Sot
RrGK mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj

Kosova

E shtunë, 21 korrik 2018

RrGK mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 17:10
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Me 16 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00, në Hotel Sirius në Prishtinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj ku morën pjesë anëtaret, miqtë, përkrahësit dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Edhe gjatë këtij viti RrGK ka punuar në arritjen e vizionit të saj që të bëj Kosovën një vend ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe bëjnë një jetë pa dhunë. Vizionin e saj, RrGK e arrin përmes misionit të saj që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia. RrGK e realizon këtë mision përmes shkëmbimit të përvojës dhe informatave, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, avokimit dhe shërbimeve.

Besnik Leka, Kryetar i Bordit të RrGK-së, në fjalën e hapjes së Kuvendit ndër të tjera theksoi se “Zgjedhja ime si udhëheqës i bordit konfirmon edhe njëherë një të vërtetë nga e cila priret Rrjeti i Grave të Kosovës, të vërtetën që organizata jonë është e kujtdo që ka vullnet e që beson në barazi. Po e mbyllim një vit, i cili më shumë se kurrë dëshmon relevancën dhe domosdoshmërinë e punës së Rrjetit”.

Që Rrjeti bashkëpunon ngushtë me institucionet vendore, e theksoi edhe Edi Gjonbalaj Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencionit për Barazi Gjinore, e cila përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm me organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e udhëhequra nga gratë. Ndër të tjera ajo shtoi se “Agjencioni si gjithmonë këtë vit ka qenë i angazhuar në promovimin e Ligjit për Barazi Gjinore për ta komentuar, për të parë zbatimin e tij dhe pengesat në të cilat po hasin në zbatimin e mirëfillt të këtij Ligji [...] duke dashur të krijojmë një të ardhme më të sigurtë për gratë dhe vajzat, dhe burrat dhe djemt”.

Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, duke shprehur kënaqësinë t’u drejtohet anëtareve të Rrjetit, tha se sot është një moment i përshtatshëm për të folur për mundësitë duke besuar që gjithë bashkarisht mund të luajmë një rol shumë të rëndësishëm si përfaqësues të popullit duke çuar përpara kërkesat dhe nevojat për një shtet të barabartë. “Uroj gjitha gratë për gjithë punën e aktivizmin që po bëni përkundër të këqijave që po na ndodhin. Ju rikujtoj që edhe Avokatin e keni gjithmonë në krah”.

Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit, kujtoi aktivizmin dhe bashkëpunimin e organizatave të grave me institucionet që nga fillimet e viteve 2000 dhe për proceset e inicuara e të shtyera bashkarisht. Duke folur për barazinë ai shtoi se “Ne, vet burrat duhet të jemi shembuj për të vetëdijesu edhe të tjerët për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe kundër diskriminimit, në mënyrë që të arrijmë progres në ndryshimet që ne kërkojmë për një shoqëri të barabartë”.

Për të shënuar suksesin e iniciativave të ndërmarra nga anëtaret përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK) u shfaq filmi dokumentar ku prezantohen disa nga këto iniciativa. Filmi do të jetë i disponueshëm së shpejti në uebfaqen e RrGK-së.

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK duke folur për punën e Rrjetit gjatë vitit 2017, për aktivizmin dhe solidaritetin e grave dhe burrave për të çuar përpara çështjet gjinore u shpreh se “Këtë vit dëshiroj që moto e këtij Kuvendi është se ne nuk jemi Rrjet sepse vetëm punojmë së bashku, jemi Rrjet sepse respektojmë, besojmë dhe kujdesemi për njëra tjetrën”.

Pas pushimit të drekës anëtaret zgjodhën 3 anëtaret e reja të Bordit si dhe plotësuan pyetësorët për të vlerësuar punën e stafit dhe Rrjetit përgjatë aktiviteteve të realizuara gjatë vitit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test