Haradinaj: Nuk po e dëmtoj Kosovën me numrin e madh të zëvendësministrave

Kosova

Haradinaj: Nuk po e dëmtoj Kosovën me numrin e madh të zëvendësministrave

Më: 23 dhjetor 2017 Në ora: 14:21
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka quajtur hipokrizi dhe gënjeshtra kritikat për numrin prej 70 zëvendësministrave në qeverinë e tij.

Në takimin me Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së AAK-së, Haradinaj ka thënë se nuk krenohet me numrin e madh të zëvendësministrave.

“Nuk mendoj se po e dëmtoj Kosovën me numrin e madh të zëvendësministrave. Është gënjeshtër që po e dëmtoj Kosovën me këtë. Është hipokrizi e atyre që po më kritikojnë se po dëmtoj Kosovën me këtë, edhe pse nuk krenohem me këtë numër të madh të zëvendësministrave”, ka thënë Haradinaj.

Për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka thënë se Kosova nuk ka pasur tjetër zgjidhje për energjinë elektrike.

“Në emër të ndotjes së ajrit deshën ta ndalin termocentralin që do të ndërtohet me teknologjinë e fundit. Nuk kemi zgjidhje tjetër sepse nuk kemi lumenj për hidrocentrale. Bota nuk është kundër teknologjisë së fundit të termocentraleve”, ka thënë ai.

Duke folur për termocentralin e ri, Haradinaj ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisin gërmimet në Hade dhe Shipitullë.

Haradinaj i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të shkojë tutje në raportin me Kosovën, pasi sipas tij, që prej fusnotës dhe marrëveshjes së MSA-së, Kosova nuk ka marrë lajm tjetër prej tyre.

“Herë po më thonë se ‘na prishe me dynjanë’, herë po më thonë ‘përse nuk e ke flamurin’. BE-ja duhet të shkojë më tej. Prej fusnotës dhe MSA-së nuk kemi marrë lajm tjetër prej tyre”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë takim Haradinaj ka përsëritur qëndrimin për pjesëmarrjen e SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi. Ai theksuar se nuk ka garantues më të mirë sesa SHBA-të.

“Amerika është garant. Në botë nuk e ke garant më të mirë sesa Amerika. Nuk mund të themi ‘po e duam Rusinë’ në këtë proces sepse ajo vetë është tërhequr. Mirë me pas të fortin në tavolinë me vehte”, ka thënë Haradinaj për dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat