Një muaj pas vizitës në Kanada, Thaçi rikthehet në gazetat kanadeze si njeri i dyshuar për krime

Kosova

Një muaj pas vizitës në Kanada, Thaçi rikthehet në gazetat kanadeze si njeri i dyshuar për krime

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 06:40
Thaçi në revistën “Esprit de Corps”

Në një editorial të shkruar nga redaktori i revistës "Esprit De Corps", Scott Taylor, të publikuar në gazetën kanadeze "The Hill Times", theksohet se "Hashim Thaçi është një kriminel dhe bandit", teksa autori reagonte ndaj komenteve të Thaçit ku akuzonte Rusinë për "lajme të rrejshme dhe sulm" ndaj Kanadasë.

Disa javë pasi vizitoi Kanadanë, mediat atje janë aktivizuar me lajme për Hashim Thaçin. Arsyeja është: historia e dyshimtë e tij, e lidhur me krimin.

Në një editorial të shkruar nga redaktori i revistës “Esprit De Corps“, Scott Taylor, të publikuar në gazetën kanadeze “The Hill Times“, theksohej se “Hashim Thaçi është i akuzuar për kriminel dhe bandit”, teksa autori reagonte ndaj komenteve të Thaçit ku akuzonte Rusinë për “lajme të rrejshme dhe sulm” ndaj Kanadasë.

Thaçi, gjatë vizitës së tij në Kanada në fund të muajit nëntor, pas një raportimi në Dhomën e Përfaqësuesve të Komitetit për Punë të Jashtme në kuadër të Qeverisë së Kanadasë, kishte thënë për media se “me sulmin e Rusisë ndaj vlerave tona [të përbashkëta], po sulmojnë edhe Kanadanë”.

E gazetari Scott Taylor ka theksuar se mediet kanadeze nuk kanë ofruar informacion për njeriun që i tha këto fjalë. Për Taylor, i cili ka pasur përvojë si gazetar raportues nga luftërat në Ballkan, Hashim Thaçi është një i akuzuar për “trafikim droge”.

“E thënë thjesht, Hashim Thaçi është i akuzuar si kriminel dhe bandit. Në vitin 1993, kur ishte në mesin e të 20-ave, Thaçi ishte bërë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila në mesin e viteve 1990 u cilësua nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste”, shkruan Taylor në editorialin e tij, të publikuar në “The Hill Times” më 6 dhjetor – rreth dy javë pas përfundimit të vizitës së Thaçit në Kanada.

Image
Editoriali i redaktorit të revistës “Esprit de Corps” në të përditshmen kanadeze “The Times Hill”/ foto: The Times Hill

Teksa shkruan për aktivitetin e dyshimtë të Hashim Thaçin, Taylor drejton të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit të Kosovës. E përmend nofkën “Gjarpër”, me të cilën njihej Thaçi në luftë.

“Nofka e Thaçit ishte ‘Gjarpër’ dhe ai ishte akuzuar për drejtimin e një rrjeti të trafikimit të drogës dhe armëve”, shkruan publicisti dhe gazetari Scott Taylor. “Në vitin 1997, një gjykatë serbe e dënoi atë me 10 vjet burg”.

Në shkrimin e tij, Scott Taylor citon edhe një hetim që ai pretendon të jetë realizuar nga Agjencia Gjermane e Intelegjencës BND, në të cilin Thaçi akuzohet për krim të organizuar brenda Kosovës, në kohën kur shërbente si kryeministër.

“Agjencia Gjermane e Inteligjencës BND kreu një hetim mbi Thaçin dhe regjimin e tij qeverisës dhe konkludoi se ‘akterët kryesorë (duke përfshirë Thaçin) janë të përfshirë thellë në ndërlidhjet mes politikës, biznesit dhe strukturave të krimit të organizuar në Kosovë.’ Me fjalë të tjera, ai u akuzua për drejtimin e një rrjeti narko-kriminal”, shkruan publicisti kanadez.

Redaktori i revistës kanadeze “Esprit De Corps” përmend po ashtu edhe raportin e Dick Martyt, i cili e akuzon Hashim Thaçin për trafikim të organeve njerëzore. Në këtë raport, Thaçi akuzohej edhe për trafikimin e drogës.

“Një raport tjetër i përgatitur për Këshillin e Europës implikoi ish-komandantët e UÇK-së në abuzime serioze të të drejtave të njeriut. Pretendimet më serioze kundër Thaçit përfshinin trafikimin e drogës dhe trafikimin e organeve njerëzore”, shkruan Taylor në editorialin e tij.

Në këtë editorial të Taylor theksohet se “papunësia e përgjithshme në Kosovë është mbi 33 për qind, me papunësinë e të rinjve që ka arritur shifrën e afër 60 për qind.”

“Këto numra nuk vijnë nga burimet e medias ruse, por më tepër nga CIA”, shkruan publicisti kanadez, teksa kritikon Thaçin për deklaratën e tij, për “vlerat e përbashkëta” mes Kanadasë dhe Kosovës.

Taylor e cilëson fyerje ndaj qytetarëve kanadezë, faktin se Presidenti i Kosovës krahasoi vlerat e Kanadasë me ato të “regjimit të korruptuar të tij në Kosovë”.

“Të lejojmë ardhjen e Thaçit në Otava, që t’i falen atij mëkatet e së kaluares dhe të tashmës dhe pastaj të trumbetojë retorikën e tij kundër Rusisë si këshillë e mençur, është marrëzi ekstreme. Për Thaçin, të tregojë se vlerat e tij dhe ato të regjimit të korruptuar të tij në Kosovë janë të njëjta me vlerat kanadeze është një fyerje ndaj Kanadasë”, shkroi Taylor.

Këto lajme vijnë në kohën kur Gjykata Speciale ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzave për mbi 60 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizatë në të cilën Hashim Thaçi ka shërbyer si udhëheqës politik. /Insajderi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat