Shoqata e grave të policisë së Kosovës një histori suksesi

Kosova

Shoqata e grave të policisë së Kosovës një histori suksesi

Më: 5 janar 2018 Në ora: 17:57
Pamje nga takimi

Në rrugëtimin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, padyshim një rëndësi jetike për vendin ka pasur krijimi i Policisë së Kosovës si një nga institucionet e para të Kosovës.

Krijimi i këtij institucioni nuk solli vetëm një shërbim policor, krijuar mbi parime dhe vlera demokratike, por solli edhe një risi që për qytetaret tonë ishte e panjohur ndoshta edhe në shumë vise të vendit edhe temë tabu për diskutim.

Këtë risi e sollën gratë dhe vajzat e Kosovës të cilat nga gjenerata e parë u inkuadruan në Policinë e Kosovës, duke shërbyer me devotshmëri dhe duke thyer mitin që ishte krijuar se policimi është vetëm punë burrash.

Angazhimi në shërbimin policor solli edhe një dimension tjetër të gruas kosovare, duke e sjellë atë para opinionit si plot vullnet dhe të përgatitur për të marrë përgjegjësinë e ndërtimit të institucioneve dhe vetë shtetin e Kosovës.

Rrugëtimi i gruas në Policinë e Kosovës nuk ka qenë i lehtë, jo rrallë herë ato janë paragjykuar nga rrethi me aludimin se kjo punë nuk është për gra, dhe se grat nuk kanë fuqinë për tu përballur me sfidat që kërkon kjo punë.

Falë mbështetjes së vazhdueshme nga familjet dhe nga organizata policore, ato kanë arritur që të tejkalojnë të gjitha pengesa dhe paragjykimet që zakonisht janë prezentë në shoqëritë që janë në tranzicion.

Referuar nevojës dhe domosdoshmërisë për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës, gratë në Policinë e Kosovës me qëllim fuqizimin e rolit të tyre, duke mbështetur njëra tjetrën kanë themeluar Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës, e cila në një ceremoni solemne  është formuar në nëntor 2013. Shoqata e grave të policisë së Kosovës është një nga shoqatat e para të kësaj natyre në vend por edhe më gjerë në rajon.

Misioni i shoqatës është shumë i qartë dhe thelbësor, fuqizimi i rolit dhe pozitës së gruas dhe ndihma në krijimin e profilit të gruas e cila punon në policinë e Kosovës.  Aktivitetet kryesore të shoqatës janë promovimi i parimeve të barazisë gjinore dhe të mosdiskriminimit, përkrahja për zhvillim të vazhdueshëm profesional i grave në PK.

Me mbështetjen e shumë eksperteve ndërkombëtare dhe vendor në vazhdimësi shoqata është zhvilluar dhe ka marrë formën e saj. Tashmë ajo ka qindra anëtar, kryesisht që punojnë në Policinë e Kosovës, ka strukturën e saj drejtuese, që zgjidhet dhe  funksionon në bazë të statutit të shoqatës.

Me qëllim të avancimit të qëllimit dhe detyrave të shoqatës, tashmë në mbështetje edhe të partnereve ndërkombëtare, është hartuar dhe është duke u zbatuar edhe Strategjia Zhvillimore dhe Planin e Veprimit 2016-2018, ku janë të përcaktuar shumë  aktivitete.  

Me qëllim të realizimit të misionit dhe detyrave të shoqatës që nga krijimi e deri më tani janë realizuar një numër i madhe i aktivisteve si punëtori, konferenca, trajnime, takime me përfaqësues të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtarë të cilët kanë përkrahur në të gjitha mënyrat misionin e shoqatës. Se kjo shoqatë është një histori sukses e tregojnë edhe të arriturat në rrafshin ndërkombëtar siç janë: prezantimet në konferenca të ndryshme rajonale dhe ndërkontinentale.

Vlen për tu veçuar se në konferencën ndërkombëtarë të organizuar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Grave Police (IWAP) në Winnipeg, Manitoba në Kanada, në tetor 2014, bordi drejtues i këtij asociacioni vendosi që Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës të jetë anëtare e Asociacionit Ndërkombëtar të Grave Police.

Jo vetëm ky prezantim por edhe paraqitjet tjera në shumë vende evropianë kanë bërë që kjo shoqatë të konsiderohet lidere për organizimet e grave police të rajonit.

Në vazhdën e aktiviteteve të Shoqata e Grave të Policisë të Kosovës në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtat e Njeriut dhe Diversitet në Policinë e Kosovës, të mbështetur nga partneret ndërkombëtar, kanë kryer një hulumtim i cili fokusohet pikërisht në analizën e nivelit të njohurisë të punonjësve në policinë e Kosovës, me theks të veçantë të grave që punojnë në polici rreth barazisë gjinore.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ketë hulumtim, synojnë në fund të fundit të nxjerrim konkluzionet lidhur me situatën reale, të gjeturat dhe rekomandimet se si të përmirësohen gjendja në sferat përkatëse.

Stafi Drejtues i Shoqatës, ka ndihmuar edhe gratë police të rajonit për të iniciuar dhe themeluar shoqata të tilla duke ndarë eksperiencën me to, me qëllim krijimin e rrjetëzimit dhe avancimin dhe adresimin e çështjeve që janë të përbashkëta.  

Themelimi i shoqatës ka ndihmuar në mobilizimin e grave në Policinë e Kosovës, që përmes aktiviteteve të shoqatës të ndikojnë direket në ngritjen dhe vetëdijesimin për rëndësinë  që ka femra në policinë e Kosovës.

Kontributi që gratë kanë dhënë dhe po japin  çdo ditë në policinë e Kosovës, është  shumë i madh dhe i pazëvendësueshëm. Ato me punën e tyre po ju japin shembuj pozitiv për të gjithë komunitetin ku ato shërbejnë dhe më gjerë, duke u bërë  model inkurajues edhe për vajzat e reja që në të ardhmen t’i bashkëngjiten radhëve të Policisë së Kosovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat