Dyshime për kontratën për TC “KOSOVA E RE”

Kosova

Dyshime për kontratën për TC “KOSOVA E RE”

Më: 14 janar 2018 Në ora: 16:10
Ilustrim

Mos bërja publike e kontratës së Qeverisë së Kosovës me kompaninë “Countour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ka ngritur dyshime në radhët e shoqërisë civile, por edhe Odës Ekonomike të Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha për Radio Kosovën se dëshiron të besojë se kontrata është nënshkruar dhe se nuk është ndonjë lojë në pyetje.

Para se të përmbyllej viti i kaluar, u mbajt një ceremoni për nënshkrimin e kontratës mes qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane Countour Global për ndërtimin e TC “Kosova e Re”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye-kuvendari Kadri Veseli, e të tjerë u shprehën shumë të kënaqur me faktin se po nënshkruhej kontrata, si një prej projekteve më të mëdha në vendin tonë që nga pas-lufta. Kurse në konferencën e fund-vitit, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka kishte premtuar që për pak ditë kontrata do të ishte e qasshme për publikun.

“Unë besoj edhe sot isha në takim ku jemi duke insistua që me mujt deri nesër me i qëndrua fjalëve të mia vet që kam premtua, me e hap publikisht. Ka mundësi, pasi më kanë thënë se mund të ketë një apo dy ditë vonesë, por kontrata do të hapet e tërësishme, nuk do të ketë asgjë të mbyllur për publikun”, kishte thënë ministri.

Megjithatë, kontrata ende nuk është bërë publike dhe përveç shoqërisë civile, shprehen dyshime të ndryshme edhe nga aktorë të tjerë. Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se mund të ketë ndonjë lojë në këtë punë.

“Dua të besoj që edhe projekti i shumëpritur dhe i vonuar çfarë është “Kosova e Re” është nënshkrua, nëse nuk është ndonjë lojë, por dua të besoj që është nënshkruar, besoj që është një mundësi e re që për vitin 2018 të kemi hapa dhe sfida ekonomike më të mëdha”, ka thënë Gërxhaliu.

Kurse Ministria e Zhvillimit Ekonomik së fundi për media ka deklaruar se “Në momentin kur përfundojnë disa çështje të vogla teknike, kontrata do të jetë e gatshme për publikim”. Kjo gjë e bën të dyshimtë procesin sipas Konsorciumit Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID. Ky konsorcium i shoqërisë civile ka thënë se është absurditet që kontrata të nënshkruhet para se të finalizohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat