Çantat humanitare shkollore dhe procedurat doganore

Kosova

Çantat humanitare shkollore dhe procedurat doganore

Nga: Sevdail Hyseni Më: 16 janar 2018 Në ora: 09:23
Çantat humanitare shkollore dhe procedurat doganore

Autoritetet doganore në Fushë Kosovë, ka ndaluar një dërgesë postare me materiale shkollore nga Gjermania, dedikuar fëmijëve të ish të përndjekurve politikë, nxënës të qendrave shkollore  “Zekeria Rexha” dhe “Emin Duraku”, nga Gjakova.

Ky donacion humanitar i përbërë prej 17 çantash shkollore, 50 fletore, 20 lapsa dhe 7 mbajtëse të lapsave grafikë, nga zyra e doganës në Fushë Kosovë dhe Terminali doganor në Prishtinë, kërkohet t’i vihet një taksë prej 115 eurove, duke mos u vlerësuar si material solidar, por si biznes.

Bamirësja e këtij donacioni, zonja Behije Hamiti, nga Podujeva, e cila jeton në Gjermani, është me profesion mësuese, një edukatore shembullore e përmendur për mirësi e solidarësi, ka njoftuar autoritetet doganore se këto janë ndihma humanitare, për të cilat ka hequr shpenzimet postare në Gjermani ne vlerë prej 33,99 euro. Mësohet se vetëm çantat kanë kushtuar rreth 1700 euro, të cilat janë të cilësisë së lartë me çmimi veç e veç nga 99,99 euro.

“Kjo ndihmë është e adresuar për Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë të Gjakovës, për t’i pajisur shtatëmbëdhjetë fëmijët e tyre  me çanta shkollore, fletore, lapsa grafikë dhe mbajtëse të lapsave grafikë. Përfituesit nga kjo ndihmë solidare do të jenë fëmijët e anëtarëve të kësaj shoqate e që i takojnë grup-moshave të ndryshme, thuhet në njoftimin e zonjës Behije Hamiti, drejtuar drejtorisë së doganave të Republikës së Kosovës.

Në vazhdim të kësaj letre, gjithashtu, bëhet e ditur se ky donacion i kushtohet ish të përndjekurve politikë, atyre të cilët përjetuan masakrën e tmerrshme në burgun e Dubravës e të Lypjanit, aty u vranë mbi 260 të burgosur, duke i plagosur lehtë dhe rëndë mbi 365 persona.

Meqenëse edhe vet zonja Behije, ka qenë ish e përndjekur politik nga regjimet e dikurshme serbo-malaziase, e që për pasojë qe e shtrënguar ta braktis Atdheun, jashtë dëshirës së saj, nuk e pati vështirë t’i drejtohet doganave me një njoftim të tillë, për ta marrë në konsideratë një dërgesë të tillë humanitare, natyrisht edhe për tu liruar nga taksat doganore.

Vlen të ceket se zonja Behije Hamiti, përveç misionit të saj si mësuese në Gjermani, ajo është një shembull i përkryer i solidaritetit dhe bamirësisë, një dorë e zgjatur humanitare nga diaspora për Kosovën e saj, të dashur, të çmuar e të respektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat