Kryetari i Vushtrrisë i shkruan KEDS-it për reduktimet e rrymës

Kosova

Kryetari i Vushtrrisë i shkruan KEDS-it për reduktimet e rrymës

Më: 17 janar 2018 Në ora: 10:18
Vushtrria

Xhafer Tahri i është drejtuar me shkresë KEDS-it duke thënë se që një javë në Vushtrri ka reduktime.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, pas mungesës së energjisë elektrike në qytetet dhe disa fshatra të Vushtrrisë i është drejtuar KEDS-it me një shkresë zyrtare.

“Komuna e Vushtrrisë me dite të tëra është duke u ballafaquar me mungesën e energjisë elektrike si në qytet ashtu edhe në disa fshatra.”, shkruan në letrën e Tahirit.

Ai më tutje konstaton se nga mungesat e rrymës po pësojnë qytetarët.

“Ankesat e shumta të qytetarëve në adresë të kryetarit të komunës janë pothuaja se të çdoditshme pasi që në jetën e tyre të përditshme nga mungesa e energjisë elektrike u krijohen probleme dhe vështirësi të shumta sidomos në ushtrimin e veprimtarive biznesore”, thuhet në letrën e Tahirit.

Sipas Xhafer Tahirit, probleme  me energji elektrike në Vushtrri ka tash e një javë.

“Ka një javë që ka probleme me energji elektrike, ka reduktime. Duke marrë parasysh që tani koha është e ftohtë, krijohen edhe probleme dhe vështirësi të shumta për qytetarët”, tha Tahiri.

Ai tha se deri më tani nuk  ka pranuar ndonjë përgjigje për shkresën e dërguar në KEDS për problemin me energji.

KALLXO ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala  i cili tha se kjo kompani po bën maksimumin për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike.

“KEDS po bën maksimumin për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike, por është shumë i varur nga prodhimi prej KEK-ut, për të cilin  jemi në dijeni që  nuk ka qenë brenda suazave të planifikuara”, tha Buzhala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat