Ajri në rajonin e Prishtinës më i ndoturi, në Dukagjin më i pastri

Kosova

Ajri në rajonin e Prishtinës më i ndoturi, në Dukagjin më i pastri

Më: 22 janar 2018 Në ora: 21:53
Ilustrim

Në Kosovë ndotësit e ajrit janë të shumtë. E, cilësia e ajrit dukshëm është më e keqe gjatë periudhës tetor –shkurt. Kështu kanë thënë ekspertët e kësaj fushe në RTV Dukagjini.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, ka theksuar se ndotja më e madhe e ajrit në vend, është në periudhën prej muajit tetor deri në muajin shkurt, duke sqaruar se ndotja e ajrit ndodhë nga komponentë të ndryshëm, siç janë: ndryshimet meteorologjike, karburantet e automjeteve, termocentralet dhe ngrohja e cila bëhet nëpër shtëpi.

“Industria, përveç KEK-ut, shkritoret tjera, qendrat e riciklimit të forma të ndryshme të kemikaleve dhe të ngjyrave, janë ndotës tjerë, edhe nëse janë në suaza të normave të lejuara”, ka theksuar Morina.

Sipas tij, rajoni i Prishtinës, mbetet rajoni më i ndotur në Kosovë, për dallim nga pjesa e rrafshit të Dukagjinit, ambienti në cilin është më i pastër.

“Në Drenas kemi pasur tejkalim të pluhurave, ose ta zëmë në Han të Elezit, për shkak të ‘Sharrcemit’, e kemi një gjendje jo të mirë. Mitrovica ka gjithmonë limite të larta dhe komplet regjioni i Prishtinës, i cili paraqitet më i ndoturi”, ka theksuar Morina.

Ai ka sqaruar se në vitin 2016 janë ngritur mbi 500 padi ndaj operatorëve ekonomikë, të cilët e ndotin ambientin, por që, sipas tij, gjykatat kanë marrë masa vetëm ndaj 20 prej tyre.

“KEK-u mbetet ndër ndotësit më të mëdhenj, më pas gurëthyesit. Derisa kemi bërë shumë padi për shkatërruesit e lumenjve, e që shumica prej tyre nuk janë dënuar, përjashto disa raste”, ka thënë ai.

Sipas tij, kalimi i normave mesatare të ndotjes së ajrit gjatë 35 ditëve në një vit, konsiderohet normale. E, sipas tij, numri i ditëve ku ajri ka ndotje shqetësuese, shkon në 76 ditë.

“Kur kemi këso tejkalime, ndodhë afektimi i shëndetit dhe i biodiversitetit, për shkak se kemi kontaminim të tokës dhe dëmtim të ujit, etj”, ka shtuar Morina.

Ai më tutje ka thënë se dalja me vlerësime se kemi ndotje të ajrit dhe futja në alarm e popullatës, po shkakton paqartësi të njerëzit e thjeshtë, duke shtuar se i lut të mos merren me tema, të cilat nuk i njohin.

Sipas tij, në ueb faqen e agjencionit, të cilin e drejton, ai çdo ditë i publikon të dhënat për ndotjen e ajrit në Kosovë, dhe se ka edhe raporte edhe disa ditore ose javore.

Morina ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e implementimit të ligjeve që lidhen me mjedisin, duke shtuar se ka edhe deficit të ekspertëve të kësaj fushe dhe se puna në të shumtën e rasteve nuk kryhet me përgjegjësi.

Ndërsa eksperti i mjedisit, Behxhet Mustafa, ka deklaruar në emisionin “Përballje” se termocentralet e KEK-ut dhe veturat janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë.

Sipas tij, duhet patur më shumë kujdes institucional për këtë fushë në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat