Dëshmitarët thonë se nuk e panë kush e vrau policin

Kosova

Dëshmitarët thonë se nuk e panë kush e vrau policin

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 17:53
Gjykimi për vrasjen e policit

Në gjykimin e Maliq Birinxhikut i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj dëshminë e tyre e dhanë dëshmitarët Ilir Zeqiri dhe Florentina Rashiti.

Dëshmitari Ilir Zeqiri para gjykatës tha se ditën e ngjarjes kishte qenë afër stacionit të autobusëve duke punuar në afërsi të vendit ku ishte vrarë Valon Goxhuli.

Pas pyetjes së prokurorit Njazi Rexha dëshmitari tregoi që pasi kishte dëgjuar të shtënat ishte afruar afër vendit të ngjarjes dhe kishte parë një person të shtrirë për të cilin nuk kishtë ditur se a është i vrarë, dhe një tjetër në veturë për të cilin deklaroi se nuk e kishte ditur a ka qenë polici.

Gjithashtu dëshmitari deklaroi se afër veturës kishte qenë edhe një grua e cila sipas tij duke qarë kishte bërtitur dhe thënë “ o kuku e vrajtën“.

Dëshmitari theksoi se vetura të cilën e kishte parë duke u larguar nga vendi i ngjarjes kishte qenë ngjyrë hiri dhe e markës “Ford“, ndërsa personin i cili kishte shtënë më armë e përshkroi si një njeri rrëth të dyzetave me pak mjekër dhe me një kapelë.

Ndërsa pyetjes së trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Beqir Halili se personat që ishin grumbulluar  në vendin e ngjarjes a e kishin komentuar rastin dhe se a kishin përmendur emrin e ndonjë personi që ka gjuajtur me armë, dëshmitari iu përgjigj se kishte dëgjuar vetëm bërtimat e njerzve.

Në seancë përveç Zeqirit dëshminë e dha edhe Florentina Rashiti, e cila në momentin e vrasjes kishte qenë afër veturës së viktimës.

“Atëkohë isha studente, jam kthyer prej Prishtinës dhe pasi u takova me motrën duke shkuar në shtëpi përpara më është ndalur një veturë me ngjyrë të zezë që ishte vetura e viktimës dhe nga ajo veturë prej mbrapa ka dalë një grua, e mbaj në mend pasi që jam takuar më të krah për krah “, tha dëshmitarja.

Më pas ajo tregoi se si kishin filluar të shtënat dhe se gëzhojat e plumbave i kishin rënë mbi kokë.

Tutje dëshmitarja rrëfeu se një herë ishin ndalur të shtënat dhe se kur kishtë kthyer kokën prapë kishin filluar të gjuajnë dhe se ajo kishte ikur për t’u fshehur pas një veture.

“Njëherë të shtënat janë ndalur, kur e kam kthyer prapa kokën kanë fillu me gjuajtë, unë kam ikë për t’u fshehur pas një veture”, tha dëshmitarja.

Florentina Rashiti tha se e kishte pyetur dikë se çfarë po ndodhë, ndërsa kishte marrë përgjigjen se e vranë policin.

Më pas ata kanë ikë ndërsa vetura e viktimës ka qenë e mbushur me plumba dhe shumë tym. E kam pyetur një person së çfarë po ndodhë, ai më ka thënë se e vrajtën policin që ka qenë në bela me këta të Çubrelëve”, tha dëshmitarja.

Ajo tregoi se e kishte parë edhe të vrarin, por edhe një të plagosur.

“Nga vetura ka dalë edhe pasagjeri i plagosur dhe është shtrirë përmbys dhe e kam ndi gruaja bertitke dhe kërkonte ndihmë, prej aty jam kthyer në drejtim për me shku te motra në atë moment e kam parë edhe viktimën që ka qenë mbi timon dhe i mbuluar me gjak “, deklaroi dëshmitarja.

Seanca u shty për shkak që dëshmitarët tjerë të paraparë të japin deklaratën e tyre nuk ishin prezentë ne gjykatë.

Kurse trupi gjykues njoftoi se për dëshmitarët Safedin Hasani dhe Xhevahir Haxhaj të cilët kanë munguar dhe nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre do të lëshohet urdhërarrest me qëllim që në seancën e radhës të paraqiten në gjykatë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “ Ford Fokus “ me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani të ndjerit plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku, ku i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kanë ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat