Krasniqi: Nuk do të ketë padrejtësi gjatë ndarjes së granteve në bujqësi

Kosova

Krasniqi: Nuk do të ketë padrejtësi gjatë ndarjes së granteve në bujqësi

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 15:44
Vesel Krasniqi

Organizuar nga Drejtoria për Bujqësi, sot në Malishevë, është mbajtur një takim informues për fermerët nga Komuna e Malishevës, për subvencionet dhe grantet në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Komunën e Malishevës. Informimin e kanë bërë zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha. Me këtë rast, zëvendësministri Krasniq, premtoi se nuk do të ketë padrejtësi për asnjë fermer gjatë ndarjes së granteve dhe subvencioneve në ministri.

Fillimisht, zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Vesel Krasniqi, i ka informuar fermerët për grantet dhe subvencionet e ministrisë, e që sipas tij, për këtë vit janë ndarë rreth 50 milion euro për investime në bujqësi. Më pas, zëvendësministri Krasniqi, i ka informuar fermerët edhe me procedurat dhe kushtet që fermerët, duhet ti plotësojnë, si dhe premtoi takime të rregullta me fermer. Duke folur për ndarjen e granteve, zëvendësministri Krasniqi, e pranoi se deri më tani fermerët nga Komuna e Malishevës, me apo pa qëllim, janë diskriminuar, por kjo nuk do të ndodh tani e tutje. Krasniqi, gjithashtu, deklaroi se nuk do të ketë shkelje ligjore apo padrejtësi ndaj asnjë fermeri. "Investimi në bujqësi, është forma më e mirë, për uljen e shkallës së papunësisë dhe këtë do ta bëjmë përmes subvencionimit të fermerëve në projekte konkrete", tha zëvendësministri Krasniqi.

Edhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha i ka informuar fermerët për planifikimet e drejtorisë që ai drejton, në raport me investimet e komunës në sektorin e bujqësisë. Do të investojmë në serra, në blegtori do të ketë shumë projekte, pastaj bletari,  sikur që nuk do të mbetet anash as kujdesi për kafshët, pasi do të bëhet edhe vaksinimi i tyre, sikur edhe vaksinimi i qenve. "Të gjithë sektorët e bujqësisë, do të jenë të përkrahur brenda mundësive që ka Komuna e Malishevës, por bujqësia do të jetë sektorë me prioritet të veçantë për qeverinë komunale të Malishevës", tha drejtori Hoxha.

Gjatë këtij takimi informues, fermerët malishevas, janë njoftuar me të gjitha procedurat për aplikim në grante dhe subvencione, si në Ministrinë e Bujqësisë, ashtu në Drejtorinë për Bujqësi, ndërsa kanë marrë premtim edhe për përkrahje profesionale për aplikim për grantet dhe subvencionet në bujqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat