Këshilli i Prindërve kundërshton grevën e mësimdhënësve

Kosova

Këshilli i Prindërve kundërshton grevën e mësimdhënësve

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 15:35
Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Kosovës, përmes një komunikate drejtuar mediave, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u që për pasojë u është kërkuar nxënësve të mos shkojnë në shkollë në orët e para mësimore ditën e nesërme.

Bajram Beqiri, kryetar i KPK-së, ka thënë se apeli i SBASHK-ut drejtuar prindërve dhe nxënësve të Kosovës për grevën një orëshe është shqetësues për KPK-në, për prindërit dhe nxënësit e Kosovës.

Beqiri thotë se janë të njoftuar me kërkesat legjitime dhe marrëveshjet e arritura me organet e Qeverisë së Kosovës të cilat ende nuk janë realizuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e mësimdhënësve dhe për sakrificën e tyre të lartë në vitet e nëntëdhjeta për mbajtjen gjallë të arsimit shqip të Kosovës dhe ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë qenë akterë të këtyre viteve të vështira të arsimit shqip në Kosovë, andaj kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime dhe të drejta, por në anën tjetër kundërshtojmë grevën si formë e zgjedhjes së problemeve që kanë mësimdhënësit”, ka thënë Beqiri, kryetar i KPK-së.

Ai, në emër të KPK-së, i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë që të marrin masat e nevojshme dhe të përmbushin obligimin e tyre ndaj mësimdhënësve.

“Njëkohësisht apelojmë SBASHK-un dhe të gjithë mësimdhënësit që të jenë të matur dhe të kujdesshëm dhe të bëjnë përpjekje për prolongimin e kësaj greve të paralajmëruar në mënyrë që mos të krijohen barriera dhe paqartësi tek prindërit dhe nxënësit dhe mos të pësojnë ata që më së paku kanë faj në këtë proces, nxënësit e Kosovës”, ka theksuar Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat