Gripi sezonal, për tre muaj 38.506 raste

Kosova

Gripi sezonal, për tre muaj 38.506 raste

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:05
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet të shtuar të rasteve të gripit sezonal.

Sipas Institutit, nga 01 tetori i vitit që shkoj deri më 11 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 38.506 raste të dyshimta në grip, 3.932 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 74 raste Sëmundje e Rënde Respiratore Akute.

“Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës. Gjatë javës 06 (05-11 shkurt 2018) janë raportuar 7123 raste të dyshimta të gripit, 333 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 6 raste të rënda Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 14 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 403 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 202 ose 52 % kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit të Influencës, 84mostra janë pozitive në Influencën A dhe 118 në Influencën B. Epidemia e gripit sezonal po vazhdon me intensitet lehtë të shtuar të rasteve të gripit”, thuhet në komunikatë.

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

“MASHT tashmë ka dhënë rekomandimet për të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkëqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut. Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina. Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet. Inspektorati shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë po mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës pë r raportimin e sëmundjeve ngjitëse. SHSKUK ka ndërmarrë masa në redukimin e numrit të vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar, ka siguruar mjete mbrojtëse për profesionistët shëndetësore dhe ka dezinfektuar të gjitha hapësirat e institucioneve shëndetësore. Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon , Evropë dhe botë. Në Shqipëri gripi ka shënuar intensitet lehtë të shtuar dhe janë identifikuar disa raste të gripit Aussie (A/H3N2). Situatë e njejtë epidemiologjike është shënuar edhe në shtetet fqinje. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për panik në popullatë sepse të gjitha rastet e rënda trajtohen me kujdes në SHSKUK”, thuhet në komunikatë.

Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgatitur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat