Nxënësit përdoren për arritje të qëllimit të grevës në arsim

Kosova

Nxënësit përdoren për arritje të qëllimit të grevës në arsim

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 12:54
Ilustrim

Ftesa e Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë e Kulturë drejtuar nxënësve, që të mos shkojnë në orën e parë të mësimit gjatë dy ndërrimeve për shkak të grevës së arsimtarëve, ka nxitur reagime nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe Këshilli i Prindërve.

Këtë javë, nxënësit janë ftuar të mos shkojnë në orën e parë të mësimit të mërkurën, kurse javën tjetër, është paralajmëruar se thirrja mund të zgjerohet me bojkotimin e dy orëve të para të mësimit.

Bajram Beqiri, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se pajtohet me kërkesat që i ka parashtruar Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë e Kulturë (SBASHK), por e kundërshton grevën në mënyrën si është organizuar. Ai thotë se nuk duhet që nxënësit të përfshihen në këto çështje, duke potencuar faktin se e gjithë kjo ka mund të ndodhë në kohën kur fëmijët do të jenë në pushimin pranveror.

“Ne i përkrahim kërkesat e mësimdhënësve dhe janë të ligjshme, si dhe janë premtime që vetë Qeveria e Kosovës i ka dhënë, por jo grevën si opsion të mundshëm. Mendoj se nëse kanë menduar përmes grevave t’i realizojnë kërkesat, atëherë ta shfrytëzojnë pushimin pranveror, dhe të dalin para Qeverisë, e mos të ndërpritet mësimi. Ne e kemi kundërshtuar grevën si formë, por nuk i kundërshtojmë interesat e mësimdhënësve”.

“Normalisht që këto greva kanë krijuar telashe për prindërit e fëmijëve, pasi i gjithë orari i familjeve iu është çrregulluar dhe kemi marrë ankesa”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka treguar se cilat janë kërkesat e tyre dhe arsyeja pse është vendosur të ketë grevë.

“Kërkesat tona janë në marrëveshje me kryeministrin, për statutin e mësimdhënësve për vitet e 90-ta, për ligjet e tyre, Ligjin për pagat, pasi që ligji që e kishte propozuar Qeveria e kaluar ishin ranguar pa meritë në ranglistë shumë të ulët. Ne kemi kërkuar që kjo të ndryshohet dhe të kenë mësimdhënësit vendin e merituar. Nëse nuk ndryshojnë gjërat për të mirë, ne do të kemi edhe protestë”.

“Ne kërkojmë që kjo të dokumentohet dhe të përfillet propozimi i SBASHK-ut lidhur me pozicionin që duhet ta ketë Ligji i pagave, vetë mësimdhënësit dhe të punësuarit tjerë në arsim”.

“Në propozimin që e kishin dhënë Qeveria e kaluar, ishim të ranguar në fund të tabelorit e cila është nga 1 deri në 11. Ne kemi kërkuar që të jemi të ranguar më lartë ne vendin e merituar, ka thënë Jasharaj.

Por, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, përmes një komunikate ka reaguar duke thënë se ‘’keqpërdorimi i fëmijëve (nxënësve) për arritje të qëllimit të grevës, nga aspekti i të drejtave të njeriut është i dëmshëm dhe i papranueshëm, aq më parë që shumica e nxënësve as që e kanë arritur moshën madhore për marrje të vendimeve në mënyrë të përgjegjshme”.

“SBASHK është dashur dhe duhet ta zgjedhë një mënyrë tjetër, të pranueshme të veprimit sindikalist, në përpjekje të realizimit të drejtave që iu takojnë, e jo që përmes kushtëzimit të refuzimit të mësimit t’i detyrojë nxënësit të bëhen pjesë e grevës për shkak të mosrealizimit të një marrëveshjeje politike për të cilën nuk janë pyetur fare, as nxënësit e as prindërit”, thuhet në komunikatën e KMLDNJ-së.

Ndërkaq, vetë nxënësit kanë thënë se kanë marrë lajmin se ora e parë mësimore nuk do të mbahet dy ditë radhazi, por ata nuk e kanë fare idenë se për çka është organizuar kjo grevë.

M.H. nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore Meto Bajraktari në Prishtinë, tregon për Radion Evropa e Lirë se si janë udhëzuar që të mos shkojnë në orën e parë të mësimit.

“Kujdestarja e klasës na ka thënë që të mos vijmë në orën e parë mësimore, dje dhe sot. Nuk e di arsyen, por të gjithë po thonë për shkak të grevës që kanë mësimdhënësit”, tha ai.

Sidoqoftë, organizatat për të drejtat e njeriut dhe Këshilli i Prindërve përkrahin të drejtën e çdo veprimi sindikalist që është në kuadër të të drejtave dhe përgjegjësive të SBASHK-ut , por e kundërshtojnë këtë mënyrë të veprimit, e që është e ndaluar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e organizimit dhe veprimit sindikalist, duke ndërprerë mësimet sipas orarit të paraparë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat