Rikallo: Prioritet rritja e kapaciteteve të kompanive që merren me kultivimin e produkteve pyjore jodrusore

Kosova

Rikallo: Prioritet rritja e kapaciteteve të kompanive që merren me kultivimin e produkteve pyjore jodrusore

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 15:48
Panairi Ndërkombëtar i Ushqimit Organik “Biofach”

Në Panairin Ndërkombëtar i Ushqimit Organik “Biofach”, i cili po mbahet në Nuremberg të Gjermanisë për t'i përkrahur agrobizneset nga Kosova është duke qëndruar edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo.

Rikallo, tha se kompanitë kosovare po bëjnë prezantim dinjitoz të produkteve të veta. Sipas tij, ato para konsumatorëve evropian janë duke promovuar prodhime cilësore, të cilat mund të jenë konkurrente në treg.

“Mbështetja e ministrisë do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të kompanive që merren me kultivimin e produkteve pyjore jodrusore dhe bimëve aromatike mjekësore, madje zhvillimi i këtij sektori do të jetë prioritet në katër vitet e ardhshme”, tha ministri Rikalo. 

Ai ka theksuar se MBPZHR-ja do ta mbështesë organizatën “Organika” në organizimin e panaireve të tilla, në të cilat agrobizneset vendore do të mund të bëjnë promovimin e kulturave bujqësore.

 Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Organika“, Faton Nagavci, tha se Kosova edhe pse mund të jetë prodhues më i vogël se shumë shtete të tjera në sektorin e ushqimit organik, cilësia e lartë e produkteve të certifikuara që dorëzohen me kohë mundëson kërkesë më të madhe për këto produkte në tregun vendor e të huaj.

 Në panairin “Biofach”, i cili do të jetë i hapur deri më 17 shkurt 2018, po marrin pjesë shumë shtete nga e mbarë e bota, ndërkaq nga Kosova po prezantohen katër kompani prodhuese dhe përpunuese të produkteve pyjore jodrusore dhe bimëve mjekësore aromatike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat