Një dekadë shtet

Kosova

Një dekadë shtet

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 13:35
Ilustrim

Kosova po mbush dhjetë vjet shtet me plot sfida, arritje, dështime e ngjarje të rëndësishme që karakterizuan këtë dekadë. Me 17 shkurt 2008, Kosova shpallet shtet demokratik, i pavarur dhe sovran.

Qysh në ditën e parë të shpalljes së pavarësisë, Kosovës i erdhën njohjet e para. Shteti i parë që njohu Kosovën ishte Afganistani. Derisa, viti 2008 ishte viti që i solli Kosovës me së shumti njohje, gjithsejt 53 njohje. Në vitet pasuese njohjet për Kosovën u zvogëluan derisa, tani Kosova ka 115 njohje.

Në vitin 2009, për herë të parë pas pavarësisë, Kosova e pavarur sfidohet me organizimin e zgjedhjeve, këto zgjedhje, u organizuan me 15 nëntor 2009.

2009-ta mbahet mend edhe për një ngjarje jo të zakonshme. Në mesnatën e 20 nëntorit të vitit 2009, krerët e PDK-së, nga një lokal nate i quajtur “Zanzibar” kishin thënë se kanë prishur koalicionin qeverisës me LDK-në.

Me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte nxjerrë vendimin me të cilin vërtetohej se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe e drejtë.

Më  24 shtator 2010  Gjykata Kushtetuese nxjerr vendimin se presidenti Sejdiu ka shkelur aktin me të lartë juridik në vend, meqë ajo nuk njeh post të ngrirë. Kjo pasoi me dorëheqjen e Sejdiut më 27 shtator 2010.

Pas prishjes së koalicionit qeverisës, u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën me 12 dhjetor 2010. Edhe këto zgjedhje fituese nxori PDK-në e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Me 22 shkurt 2011 pas dështimit të dy raundeve, Pacolli zgjidhet president në raundin e tretë me 62 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.

Pas vetëm një muaji, me 28 mars 2011, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin me të cilin konstaton se procedurat e zgjedhjes së Pacollit president kanë qenë kundërkushtetuese.

 Më 7 prill të vitit 2011 Atifete Jahjaga u zgjodh presidente  e vendit.

Me 25 korrik 2011, me një vendim të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi njësia speciale e Policisë së Kosovës urdhërohet të hyjë në veri për marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Në këtë aksion të Policisë së Kosovës, vritet polici i njësisë speciale, Enver Zymberi.

Në fillim të marsit të vitit 2011, kishte filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ashtu quajtur dialog teknik që për qëllim kishte arritjen e disa marrëveshjeve mes dy vendeve për t’iu ofruar Bashkimit Evropian.

Kjo rezultoi edhe me arritjen e marrëveshjes e cila u quajt historike mes dy kryeministrave me 19 prill 2011.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Kosova organizon zgjedhjet e dyta komunale si shtet i pavarur dhe sovran. Këto zgjedhje sipas ligjit dhe Kushtetutës mbahen me 3 nëntorit 2013.

Pas shpërbërjes së Parlamentit në fillim të muajit maj, zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen me 8 qershor 2014. Pas këtyre zgjedhjeve fituese prapë  del PDK-ja.

 Por siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, partitë që humbën në zgjedhje u bënë bashkë kundër PDK-së së Hashim Thaçit.

Këtij blloku pas tre muajve iu bashkua edhe Vetëvendosje, e që ky bllok mori emrin VLAN që zgjati plotë gjashtë muaj.

Pas prishjes së bllokut  arrihet marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së, në zyrën e ish presidentes Atifete Jahjaga, me praninë edhe të ish ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Pas kësaj marrëveshje, me 8 dhjetor konstituohet Kuvendi ku Kadri Veseli zgjidhet kryetar Kuvendi.

Më 9 dhjetor Isa Mustafa u votua për kryeministër të Kosovës.

Pas konstituimit të institucioneve, në fund të 2014-tes filloj emigrimi i qytetarëve të Kosovës në mënyrë ilegale përmes Serbisë dhe Hungarisë në drejtim të vendeve perëndimore, kryesisht në Gjermani. U vlerësua se vetëm në fund të vitit 2014 dhe fillimin e vitit 2015, nga Kosova u larguan mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës.

Me 3 gusht 2015 me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Qeveria e Isa Mustafës me 25 gusht nënshkruan marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, derisa një ditë më vonë nënshkruhet marrëveshja për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.

Në seancën e 22 shtatorit 2015 nuk ishin vetëm vezët që u përdoren kundër qeverisë.

Përdorimi i gazit lotsjellës ishte e pazakontë në Kuvendin e Kosovës, çka bëri që vendi të futet në krizë. Si pasoj e kundërshtimeve të opozitës, nuk u arrit ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshje, dërgoi në prishjen e koalicionit mes PDK-së e LDK-së në majin e vitit 2017.

Presidenti i Kosovës menjëherë shpallë zgjedhjet e parakohshme, të cilat mbahen me 11 qershor 2017. Këto zgjedhje bën bashkë krahun e luftës, PDK-në, AAK-në dhe Nismën me kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn.

Më 22 tetor mbahen zgjedhjet lokale.

Kosova mbylli vitin 2017 me shumë sfida, për të hyrë në vitin 2018, vit ky në të cilin Kosova mbush dhjetë vjet shtet. E kjo dekadë e shtetësisë së Kosovës i gjeti qytetarët e vendit të izoluar pa liberalizim, pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, pa avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE, pa transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura e shumë çështje tjera. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat