Malisheva po e shënon 10 vjetorin e Pavarësisë

Kosova

Malisheva po e shënon 10 vjetorin e Pavarësisë

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 15:17
Ragip Begaj

Komuna e Malishevës, sot, sipas agjendës shtetërore, është duke mbajtur aktivitetet e parapara,  përmes së cilave po e shënon 10 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aktivitetet e sotme kanë filluar me homazhe dhe nderime, për të vazhduar me mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës dhe për ta përfunduar me një koncert në parkun e qytetit. Aktiviteteve, po ju prin kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ndërsa në këto aktivitete, po marrin pjesë edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, anëtarët e KK të Malishevës,  të gjitha subjektet politike, familjet e dëshmorëve, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së,  përfaqësues të Policisë, të Bashkësisë Islame dhe qytetar të shumtë.

Homazhet dhe nderimet kanë filluar me nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në "Sheshin e Dëshmorëve" në Malishevë, për të vazhduar me nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleçkë, e për ti përfunduar nderimet dhe homazhet në Prekazin legjendar, aty ku edhe filloi lufta për çlirim.

Në ora 14, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku fjalime kanë mbajtur, Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, foli për përpjekjet e popullit shqiptar në Kosovë, për liri dhe pavarësi, si dhe për rolin e Komunës së Malishevës në këto përpjekje. Begaj, foli edhe për luftën dhe kontributin e Malishevës në luftën çlirimtare, si dhe për përpjekjet e pas luftës, për pavarësinë e vendit dhe për ndërtimin e vendit. Kryetari Begaj, gjithashtu bëri thirrje që të vazhdojnë të punojnë për zhvillimin e vendit dhe të Malishevës.

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, në fjalën e tij, foli për përpjekjet e popullit shqiptar, nga viti 1944, e deri në shpalljen e Pavarësisë, si dhe për qëndresën e popullit shqiptar, duke i përmendur të gjitha konferencat e mbajtur nga viti 1944, e deri në daljen publike dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, deri në çlirimin e vendit dhe shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa Metush Kryeziu, i cili foli në emër të tri shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bëri thirrje për të punuar për vendin. "Unë kam vetëm një porosi. Nëse dikur ka qenë patriotizëm me pas një pushkë dhe të luftosh për vendin, sot patriotizëm është të punosh për mirëqenien e qytetarëve", tha Kryeziu.

Aktivitetet e sotme, do të përmbyllen me një koncert në parkun e qytetit, i cili mbahet rreth orës 16:00.

Në vazhdimin fjalimi i Kryetarit të Komunës së Malishevës, drejtuar qytetarëve të Komunës së Malishevës, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

"Më lejoni që fillimisht të ju uroj të gjithëve, dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sot dhjetë vite më parë, është bërë shpallja e Pavarësisë, duke i rrumbullaksuar përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar të Kosovës.

Populli shqiptar, me qindra vite është përpjekur dhe ka luftuar që të jetë një popull i lirë, të jetoj i pavarur dhe të ketë shtetësinë e vet. Më 28 Nëntor të vitit 1912, u bë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, por një pjesë e madhe e territoreve shqiptare mbetën të shkëputura, për të vazhduar edhe për më shumë se 100 vite, të luftojmë për të qenë të lirë.

Përpjekjet e popullit shqiptar vazhduan dhe në këto përpjekje Malisheva luajti një rol të rëndësishëm, pasi Malisheva ishte e para që ju dha fund përpjekjeve ilegale dhe ishte e para që përmes institucionit të komunës, e kundërshtoi sistemin e atëhershëm, të regjimit komunist, duke e kundërshtuar haptazi këtë sisitem, si në nivel të komunës, ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës, në vitin 1990. Ky kundërshtim i kushtoi Malishevës, me shpërbërjen e komunës, mirëpo ne, as në atë kohë nuk kemi ndenjur duarkryq dhe organizuam sistemin paralel në të gjitha fushat e mundshme të organizimit të nivelit komunal.

Këtë e vazhduam për shtatë vite,  deri në lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimin e luftës përfundimtare për tu çliruar. Pas përfundimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të Kosovës, u nevojitën edhe më shumë se tetë vite të tjera përpjekje politike, për të ardhur në 17 shkurtin e vitit 2008, ku përfundimisht Kuvendi i Kosovës, shpalli Kosovën, shtet të pavarur.

Por pavarësisht kësaj, një pjesë e madhe e territoreve shqiptare, prapë se prapë mbetën nën administrimin e shteteve tjera.

Për të arritur deri këtu, u derdh shumë gjak, e u bënë luftëra për lirinë e vendit. Sidomos lufta e fundit, ku Malishevës i ka kushtuar shumë shtrenjtë, pasi dha 74 dëshmorë, qindra të tjerë u vranë në masakrat që kreu okupatori, shumë të tjerë janë të zhdukur, për fatin e të cilëve, edhe sot pas 19 viteve, nuk dimë ende asgjë. Malisheva u shkatërrua mbi nëntëdhjetë përqind, gjatë luftës.

Duke i pasur parasysh krejt këto ngjarje, këtë sakrificë të popullit, ne të gjallët, e kemi për obligim të punojmë për vendin dhe për popullin tonë, ashtu sikur e kishim obligim të luftojmë për vendin.

Sot, 19 vite nga çlirimi, e 10 vite nga Pavarësia, Malisheva është ndërtuar dhe po ndërtohet. Me përpjekje të përbashkëta, janë rindërtuar të gjitha shtëpitë, janë rindërtuar institucionet, ndërsa tani jemi duke bërë përpjekje për zhvillimin e Malishevës dhe të vendit në përgjithësi.

Sot në Malishevë, pothuajse në tërësi është rregulluar infrastruktura rrugore, ku të gjitha fshatrat janë të lidhura me rrugë të asfaltuara. Po ashtu, kemi bërë përpjekje dhe vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shkollore, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim dhe krijimit të kushteve sa më të mira për mësimdhënie dhe mësim nxënie, pasi arsimi, është shtylla kryesore e zhvillimit të shtetit. Edhe në zhvillimin ekonomik, jemi përpjekur dhe po përpiqemi, që të krijomë kushte sa më të mira për hapjen e vendeve të punës, përmes përkrahjes direkte për sektorin e bujqësisë, si mundësia më e mirë për ne, pasi kemi kushte ideale për zhvillimin e bujqësisë, e po ashtu e kemi përkrahur edhe sektorin e biznesit, përmes heqjes së taksave komunale. Gjithashtu kemi investuar edhe në ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe të kanalizimeve.

Gjatë rrugëtimit tonë, jemi përballur edhe me probleme të natyrave të ndryshme, por ja kemi dalë.

Prandaj, unë sot ju ftoj të gjithëve që të punojmë për vendin tonë, të punojmë për kombin tonë, sepse ky është obligim qytetarë dhe shtetëror.

Uroj që çdo vit i festimit të Pavarësisë, të na gjejë sa më të bashkuar, duke punuar për vendin , të bëjmë përpjekje që qytetarët të ndihen mirë me punën tonë.

Të nderuar të pranishëm, të nderuar qytetar të Komunës së Malishevës, Urime 10 vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

I gëzofshim bashkë frytet e lirisë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat