Mbahet kolegjiumi i kryeprokurorëve

Kosova

Mbahet kolegjiumi i kryeprokurorëve

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 15:31
Mbahet kolegjiumi i kryeprokurorëve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka mbajtur sot takimin e radhës të kolegjiumit me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit.

Gjatë këtij takimi kanë raportuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive për rezultatet e punës gjatë vitit 2017, ku edhe paraqitën planin e punës, objektivat dhe aktivitetet që do t’i ndërmarrin gjatë vitit 2018.

Sipas raporteve të prezantuara nga kryeprokurorët e prokurorive u pa se gjatë vitit 2017 ka pasur rezultate të mira dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale dhe në Prokurorinë e Apelit.

Gjatë vitit 2017, Prokuroria e Apelit ka pranuar në punë 5194 lëndë, ku edhe i ka kryer të gjitha 5194 lëndët;
Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar gjithsej 3938 lëndë dhe ka kryer 4550, ndërkaq i kanë mbetur në punë edhe 1306;
Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 5081 lëndë, ndërsa ka kryer 3982, i kanë mbetur 1101 lëndë;
Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 3309 lëndë, i ka kryer 4138 lëndë, të mbetura 400, ndërkaq të bartura nga viti i mëparshëm ka pasur 1200 lëndë;
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 6365 lëndë, ka kryer 5857 lëndë, i kanë mbetur 508 lëndë;

Ndërsa, prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjakovës dhe e Mitrovicës, ende nuk i kanë sjellë të dhënat lidhur me pranimin dhe kryerjen e lëndëve.

Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët fuqizim të luftës kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, kërkesë e bërë duke marrë parasysh që ky është një kriter shumë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave.

Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar që të identifikohen dhe shenjestrohen rastet e nivelit të lartë, të bashkërendojnë veprimet me institucionet e sundimit të Ligjit për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta gjatë hetimit të këtyre rasteve dhe të aplikohen masat adekuate për sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë.

I pari i Prokurorisë së Shtetit, ka kërkuar nga kryeprokurorët që t’iu jepet prioritet  zbardhjes së rasteve të vrasjeve gjatë dhe pas luftës, si dhe ka kërkuar që të respektohet vija vertikale  duke i zbatuar udhëzimet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për fund Kryeprokurori Lumezi, kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që çdo lëndë të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet në Gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat