Held: Gratë kanë shumë potenciale udhëheqëse

Kosova

Held: Gratë kanë shumë potenciale udhëheqëse

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 12:37
Konferencë e organizuar nga Ministria e Integrimit dhe organizata gjermane GIZ, në të cilën u fol për dimensionin gjinor të integrimit evropian.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, deklaroi sot se shoqëritë me pabarazi gjinore nuk shfrytëzojnë gjysmën e potencialit, pavarësisht se gratë kanë cilësitë e spikatura në biznes dhe administratë publike.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të organizuar nga Ministria e Integrimit dhe organizata gjermane GIZ, në të cilën u fol për dimensionin gjinor të integrimit evropian.

Diplomati gjerman tërhoqi vërejtjen se shoqëria, e cila nuk shfrytëzon këtë potencial, atëherë ajo nuk e përdorë gjysmën e potencialit të shoqërisë.

Held: Do të doja më shumë burra në këtë tryezë.

“Duke mos dashur të ofendojë asnjërin, por më duhet të shoh po ashtu burra që janë ulur përreth kësaj tavoline, sepse nuk është vetëm një projekt i grave që flasim për barazi gjinore”,  tha Held.

Ai po ashtu ka thënë se është shumë krenar që shtetin e tij e udhëheq një grua dhe kjo sipas tij është shumë pozitive.

Held: Gratë kanë shumë potenciale udhëheqëse

“Gratë kanë cilësitë e tjera udhëheqëse shumë të spikatura, qoftë në biznes, qoftë në administratë publike. Shoqëria, e cila nuk është duke e shfrytëzuar këtë potencial,  nuk po e përdorë gjysmën e potencialit të shoqërisë. Kjo që po e them mund të tingëllojë shumë e parëndësishme dhe mund t’iu siguroj se në Gjermani, edhe pse jemi shumë krenarë që kemi  një femër në krye të qeverisë prej 13 vitesh me radhë, unë mund t’ju them se është pozitive në Gjermani sa i përket barazisë gjinore. Për shembull, ekziston një iniciativë shumë e fuqishme për të marrë gratë në borde mbikëqyrëse në biznese për vite me radhë. Gjithmonë është thënë se kjo do të vij vetë dhe se nuk kemi nevojë për kuota, etj. Fatkeqësisht, përvoja tregon se pa mekanizma rregullatorë, kjo është një luftë e vështirë, është një betejë e njohur për barazi gjinore”, tha Held.

Ndërsa,  ministrja e Integrimeve Evropiane,  Dhurata Hoxha , tha se kur gratë dhe burrat nuk kanë qasje të barabartë në resurse apo mundësitë e barabarta për të marrë pjesë në vendimmarrje , kjo ka kosto të drejtpërdrejt ekonomike dhe sociale.

Hoxha: Pabarazia ka pasoja edhe për fëmijë e komuniteteve

“Kjo mungesë e barazisë ndikon kryesisht në jetën e grave po gjithashtu ka pasoja për fëmijët e tyre, komunitetin , vendin në përgjithësi. Ne të gjithë pajtohemi që pabarazia dëmton themelet e shoqërisë. Prandaj, barazia gjinore nuk duhet të shihet vetëm nga aspekti i të drejtave të njeriut, por duhet të trajtohet si një humbje e potencialit njerëzor. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës kanë ende punë për të bërë. Ato duhet të sigurojnë që legjislacioni ekzistuese që adreson barazinë gjinore në mënyrë efektive. Ne duhet të angazhojmë të gjitha kapacitetet tona për të siguruar që Kosova që të arrijë dhe shfrytëzojë potencialin e saj të plotë”, tha ministrja Hoxha.

Kryeshefja  ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Edi Gusia tha se  gjatë vitit 2017 kanë ofruar komente në 27 draft ligje dhe politika publike në perspektivë gjinore,  por shqetësuese mbetet mungesa e vullnetit institucional në inkorporimin  e perspektivës gjinore.

Gusia:  Shqetësuese, mungesa e vullnetit institucional 

“Ajo që është për t’u shqetësuar është mungesa e vullnetit  institucional për ta inkorporuar perspektivën gjinore përmes rishikimeve dhe komenteve që kemi  prezantuar . Duhet ta kemi të qartë se përpara se të dalim në konsultime me bashkëpunëtorë të jashtëm , institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që ta sigurojnë përfshirjen brenda institucionale dhe duhet të kuptohet që mekanizmat gjinorë në Kosovë janë pjesë e këtyre institucioneve, janë akterë me mandat të përcaktuar për ta siguruar përfshirjen e perspektives gjinore. I ftoj institucionet që ta rrisin bashkëpunimin me mekanizmat gjinorë dhe dialogu brenda institucioneve, dhe të shfrytëzojnë në maksimum kapacitete dhe që të sigurojnë që kapacitetet e trajnuara kanë hapësirën e tyre të duhur për të qenë pjesë e integrimeve evropiane”, tha Gusia.

Sipas saj, është obligim institucional dhe shoqërisë civile të avancojnë zbatimin e ligjit për barazi gjinore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat