KDI: Kosova shënon progres në luftën kundër korrupsionit

Kosova

KDI: Kosova shënon progres në luftën kundër korrupsionit

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 12:07
Foto nga konferenca

Transparency International ka renditur Kosovën në vendin e 85-të në listën e "Perceptimit të korrupsionit për vitin 2017", që në krahasim më vitin e kaluar i bie që Kosova ka shënuar progres prej tre pikësh.

Këtë rezultat e ka komentuar në një konferencë për media Instituti Demokratik i Kosovës, ku u bë e ditur se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka shënuar progres.

Koordinatorja e projektit, Majlinda Kurti, tha se sa i përket Kosovës, ajo ka bërë një progres prej tre pikësh, pasi që sivjet është në vendin e 85. Teksa para saj gjenden Mali i Zi dhe Serbia.

Kurti: Kosova ka shënuar progres prej 3 pikësh

“Sa i përket Kosovës ajo ka bërë një progres prej 3 pikësh, për dallim prej vitit të kaluar, i cili e ka zhvendosur për 10 vende më lartë, ku sivjet ajo është në vendin e 85-të dhe në krahasim me rajonin, ajo len prapa Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën. Ndërsa para saj gjenden Mali i Zi dhe Serbia. Nuk do të thotë se neve do të njiheshim rehat dhe të ndalim luftën kundër korrupsionit për shkak se ende jemi nën mesataren prej 3 pikësh”, tha Kurti.

Ajo bëri të ditur se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Zelanda e Re radhitet e para këtë vit me 89 pikë duke kaluar kështu liderin e vjetëm Danimarkën, kurse Somalia mbetet në vendin e fundit për vitin e njëmbëdhjetë me radhë me vetëm 9 pikë.

Ndërsa, menaxheri i programit, Arben Kelmendi, theksoi se janë tri fusha në të cilat Kosova ka shënuar progres: pavarësia e gjyqësorit, fuqizimi i mediave dhe lufta kundër korrupsionit. Teksa theksoi se progresi më i madh është bërë në raportimin e saktë të mediave.

Kelmendi: Kosova ka shënuar progres

“Janë tri fusha në të cilat Kosova ka shënuar progres, dhe të cilat janë përdorë nga organizatat në rangim. Është korniza ligjore pavarësia e gjyqësorit, fuqizimi i mediave dhe lufta kundër korrupsionit. Ajo që shihet e keqe është se këto raste të korrupsionit, janë kryesisht të nivelit të ulët dhe ende mungojnë rastet gjyqësore të zyrtarëve të lartë të tek të cilët korrupsioni është më i lartë”, tha ai.

E përkundër kësaj, Kelmendi tha se duhet bërë ende. Sipas tij, gjyqësori në Kosovë vazhdon të lëngojë nga ndërhyrjet politike dhe për këtë duhet ndërmarrë hapa konkret për t’i luftuar ato. Teksa theksoi se edhe rastet e nepotizimit vazhdojnë të jenë prezente.    

Sa i përket liberalizimit të vizave, Kelmendi tha se kusht kryesor mbetet demarkacioni me Malin e Zi, pasi që në luftën kundër korrupsionit shihet se Kosova ka shënuar progres.

Kelmendi: Kusht për liberalizim të vizave është demarkacioni

“Kusht themelor për liberalizimin e vizave është përfundimi i procesit të demarkacionit me Malin e Zi. Kurse sa i përket luftimi të korrupsionit, besoj se edhe BE-ja dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se ka me zgjatë për një kohë të gjatë. Sigurisht se Kosova ka shënuar progres. Ajo është i vetmi vend në rajon që ka shënuar progres dhe shumë vende që janë si kandidate për liberalizim, si Mali i Zi dhe Serbie kanë shënuar rënie”, theksoi Kelmendi.

Ndryshe, për këtë vlerësim, Transparency International (TI) përdor si burime të informatave raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, etj.

Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse asnjë pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat