Udhëkryqi i aksidenteve

Kosova

Udhëkryqi i aksidenteve

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 11:37
Kryqëzimi që lidh rrugët “Bejtë Rexhepi” dhe “Hasan Hasani”, në fshatin Zabel i Ulët

Kryqëzimi që lidh rrugët “Bejtë Rexhepi” dhe “Hasan Hasani”, në fshatin Zabel i Ulët të komunës së Drenasit është bërë cak i aksidenteve.

Gjithë kjo telashe ka nisur kur është ndërtuar para disa viteve rruga “Bejtë Rexhepi”, e cila është rrugë me përparësi kalimi dhe i është bashkangjitur rrugës “Hasan Hasani”.

Banorët e kësaj ane konsiderojnë që zgjidhja më e mirë për të eliminuar aksidente do të ishte rreth rrotullimi.

Faik Brahimi, banorët i Zabelit të Ulët për Kp ka deklaruar se ky udhëkryq është mjaftë i rrezikshëm dhe si pasojë e kësaj çdo javë shënohen aksidente.

Ai thotë se rreth rrotullimi do ishte mënyra më e mirë për t’iu ikur aksidenteve.

Brahimi: Çdo javë bëhen aksidente

“Ma i rrezikshëm nuk ka, këtu vetëm Zoti i shpëton, për çdo javë bëhen aksidente, por fal Zotit me fatalitet nuk ka pasur ende, vetëm të lënduar po...Sipas neve këto probleme se di as atëherë pse nuk e kanë bërë rreth kur ka vend, ka hapësirë pse mos me bë rreth sepse ka qenë pozitë e favorshme për rreth, këtu kemi rast kur edhe vetë Policia ndalet, e dinë që ka përparësi”, tha ai.

Se pothuajse çdo javë ndodhi aksidente në këtë udhëkryq e thotë edhe Arbnor Rrustemi, banorë i kësaj ane, i cili thotë se brenda javës ndodhin një apo dy aksidente.

Rrustemi shton se edhe shenjat e komunikacionit që i orientojnë ngasësit e automjeteve në këto dy rrugë janë të vendosura jo mirë.

Rrustemi: Brenda javës ndodhin një apo dy aksidente

“Kisha mund të them se ky udhëkryq nuk është si duhet se ma herët ka qenë kjo rruga kryesore, pastaj e kanë lidhur edhe me rrugën në urë dhe kështu qytetarët jashtë komunës së Drenasit nuk e dinë cila ka përparësi e cila jo, shenja janë por ta vështirësojnë edhe shikimin...Si qytetar i këtij vendi mendoj se kësaj rruge i duhet patjetër një rreth. Brenda javës ndodhin një dy aksidente”, tha ai.

Mirëpo sipas zëdhënëses së Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti nga janari këtij viti e deri në këtë periudhë gjithsej në atë zonë duke përfshirë edhe  udhëkryqin janë shënuar 7 aksidente.

Përmes postës elektronike, Ahmeti ka bërë të ditur se shkaqet kryesore të që po qojnë deri tek aksidentet tek udhëkryqi i rrugëve “Bejtë Rexhepi” dhe “Hasan Hasani”, është mos respektimi i shenjave të komunikacionit.

Ndryshe, vetëm në vitin 2017 në gjithë territorin  e Kosovës janë shënuar mbi 16 mijë e 122, ndërsa në aksidentet e trafikut rrugor kanë humbur jetën gjithsej 119 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat