Corteville studentëve: Përmes Work and Travel ju bëheni ambasadorë të Kosovës

Kosova

Corteville studentëve: Përmes Work and Travel ju bëheni ambasadorë të Kosovës

Më: 1 mars 2018 Në ora: 16:36
Corteville

Studentët nga Kosova janë të barabartë me 150 mijë studentë tjerë nga mbarë bota në Programin Work and Travel, teksa ata shihen edhe si ambasadorë për vendet e vogla në Amerikë, ku nuk njihet Kosova.

Kështu tha sot konsulli i Ambasadës amerikane, Brian Corteville gjatë një ligjërate në AUK.

Corteville ka ndarë me studentët e AUK-ut, mundësitë e programit “Summer Work and Travel exchange program” për punë verore në Amerikë, ku rrëfeu përparësitë dhe procedurat nëpër të cilat kalohet për ata që dëshirojnë të marrin këtë rrugë.

Corteville: Ju jeni ambasadorë të vendit tuaj, në vendet e vogla të Amerikës

"Një ndër përparësitë e kosovarëve është që këta punësojnë në vendet ku  ata nuk shkojnë. Sepse zakonisht kosovarët shkojnë në Bronx, New York, dhe vende të cilat veç se dihen. Por me Work and Travel kemi vende të vogla, si North Carolina, në Kaliforni, tek Parku Nacional, ku njerëzit as nuk kanë parë kosovarë atje. Ju jeni ambasadorë të vendit tuaj, duke iu treguar për makiatot e mira dhe duke iu treguar që jeni njerëz të mirë, sepse në vendet e vogla të Amerikës nuk njihet Kosova”, tha ai.

Ai para studentëve të pranishëm bëri të ditur se intervistat për viza janë pas 2 javëve, prej marsit deri në maj, ndërsa periudha e qëndrimit në Amerikë është rreth 3 muaj, ku përgjatë kësaj kohe, studentët kanë mundësi që 30 ditë të kësaj periudhe t'i shfrytëzojnë dukë shëtitur. Ndërsa shtoi se të drejtë për "Work and travel" kanë edhe studentët e Masterit.

Konsulli amerikan theksoi se studentët e interesuar për këmbim eksperiencash dhe punë në Amerikë, duhet të marrin informatat e nevojshme tek agjencitë e akredituara, të cilat i ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme në këtë aspekt.

Sa i përket njohjes së anglishtes, Corteville tha se mjafton që studentët të kenë njohuri sa për të folur dhe kuptuar, duke qenë një anglishte e orientuar kah biznesi.

Corteville: Një anglishte e orientuar kah biznesi është ajo që duhet të dini

“Vitin e kaluar ka qenë hera e parë që janë bërë intervistat në Prishtinë, në Ambasadën e Amerikës. Nuk ka shumë vend në Ambasadë për t’i procesuar shumë student përnjëherë në intervistë. Çka shikojmë ne së pari në intervistë është se duhet me t’i plotësoni disa kërkesa. E para është të dish anglisht për ta marrë edhe vizën. Neve nuk na duhet një anglishte e Shekspirit, por duhet ta dish sa për të komunikuar, një anglishte e orientuar kah biznesi. Duhet të sigurohemi që flisni anglisht deri në atë pikë që mund të kryeni punën që zgjidhni”, u shpreh ai.

Ndryshe, pothuajse 500 studentë nga Kosova shkojnë çdo vit në Amerikë për të përjetuar këtë eksperiencë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat