Dëshmitari: ‘Çokollata’, ‘Iphone3’ dhe ‘Vetura’- kodet e të akuzuarve për armët

Kosova

Dëshmitari: ‘Çokollata’, ‘Iphone3’ dhe ‘Vetura’- kodet e të akuzuarve për armët

Më: 8 mars 2018 Në ora: 19:35
Pallati i Drejtësisë

Dëshmitari në gjykimin për terrorizëm tha se të akuzuarit përdornin togfjalëshin “pako të çokollatave” për municionin.

Në gjykimin e Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit, të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm në cilësi të dëshmitarit përmes video lidhjes u dëgjua një hetues policor nga departamenti për terrorizëm.

Dëshmitari i mbrojtur me nofkën “Tafili”, kryesisht u pyet nga prokurori në lidhje me takimin e dytë dhe të tretë të simuluar të cilin ai së bashku me hetuesin tjetër policor e kishin zhvilluar me të akuzuarit nën vëzhgim dhe nën masa të fshehta të përgjimit.

Dëshmitari tha se takimet me grupin i kishin zhvilluar pasi që grupi ishte interesuar që të blinte armë.

Kur u pyet nga prokurori nëse këto armë grupi i kishte pasur për t’i shitur apo për t’i përdorur, dëshmitari tha se njëherë kanë menduar se ato armë i kishin për shitje por pasi që më vonë grupi kishte kërkuar armë të llojit snajper, tha se beson se armët kanë qenë për ta sulmuar policinë, por që të akuzuarit u kishin thënë se po ju duheshin për biznes.

“Fillimisht kemi menduar që i kanë për shtije, mirëpo më vonë ka rezultuar se nuk i kanë për shitje por për mbajtje. Arsyeja ka qenë në atë se në momentin që kanë kërkuar armë snajper AM-84 dhe C-4, të jep me kuptu një drejtim krejt tjetër, pasi që dihet se këto armë nuk i mbajnë personat civilë ushtarakë apo policorë. Arsyeja ishte ajo si e kam thënë më herët, sulmi ndaj policisë”, u përgjigj dëshmitari.

I pyetur nga prokurori Drew Engel, dëshmitari tregoi se grupi përveç armëve kishte kërkuar që të blinte edhe municion, madje ai tha se kanë kërkuar edhe shkëmbim të armeve me municion propozim i cili tha se ka qenë i Ardian Mehmetit.

Për grupin tha se e kanë kërkuar edhe një mjet të quajtur “top të dorës”.

“Po është përmendur nga Sylejmani, është një top i cili ka municion nitroglicerinë, përdoret për sulme ndaj këmbësoreve, shtëpive dhe automjeteve”, tha dëshmitari.

Sa i përket çmimit të negocimit, dëshmitari deklaroi se për armët e tipit AK-47 çmimi sillej nga 200 deri në 400 euro dhe se marrëveshja kishte qenë që në vlerë të shumës 1400 euro të lihej vetura e Nuredin Sylejmanit, veturë kjo e tipit “Mercedes”, ndërsa pjesa tjetër e parave të paguhej me para kesh.

Në lidhje me procesin e negocimit, dëshmitari tha se kanë marrë pjesë Nuredin Sylejmani, Ardian Mehmeti dhe Genc Selimi.

Ai tutje tregoi se në takimin e dytë ishte biseduar edhe për njëfarë eksplozivi, i cili është në formë të kabllos së internetit.

“Është përmendur një kabllo interneti nga Ardiani e cila përdoret si eksploziv me shpejtësi të lartë me emrin Cortex. Nga Ardiani është përmend se a keni kësi lloj fitili me shpejtësi shumë të madhe është i formës ‘LAN’, sikur kabllo e internetit”, tha dëshmitari.

Në fund të këtij takimi dëshmitari deklaroi se ata ishin marrë vesh me grupin që pasi grupi t’i siguronte paratë ata të takoheshin përsëri.

Në lidhje me takimin e tretë, tha se Genc Selimi e kishte telefonuar kolegun e dëshmitarit të njohur me nofkën “Premtimi”, të cilit i kishte thënë se i kishin siguruar paratë.

Për këtë bisedë telefonike si dhe për bisedat e tjera të cilat janë zhvilluar me grupin, dëshmitari deklaroi se të gjitha janë të regjistruara.

Pas bisedës, dëshmitari tha se kishte vërejtur një gjë të pazakontë që kishte qenë sulmi ndaj dy shtetasve amerikanë misionarë të Jezu Krishtit.

Në lidhje me këtë sulm të datës 3 nëntor 2013 dëshmitari tha se personat kanë qenë nën masën e përgjimit dhe se janë regjistruar thirrjet telefonike dhe SMS-të e tyre gjatë komunikimit për organizimin e rastit.

“Gjatë masave të përgjimit është vërtetuar se në këtë rast ka qenë i përfshirë Nuredin Sylejmani dhe Bekim Mulolli”, shtoi dëshmitari.

Kurse në lidhje me armët të cilat të akuzuarit i kishin kërkuar, dëshmitari tha se atyre u janë referuar me kode.

“Për pakon me municion është përdorur fjala pako me çokollata e cila përmban 720 copë, ndërsa sa u përket armëve është përdorur fjala veturat që e kanë krismën e mirë, e gazin e lirë. Po ashtu është përdorur Iphone 3 megapixel për AK47”, tha më tej dëshmitari.

Për takimin e tretë dëshmitari tha se është zhvilluar me datën 5 nëntor të vitit 2013 në Prishtinë në pishinën e Gërmisë.

“Me 5 nëntor 2013 rreth orës 10:00 ne kemi qëndruar para basenit dhe pas dhjetë minutave ka ardhur vetura ‘Mercedes’, së bashku me katër persona Nuredini, Genci, Ardiani dhe Valoni. Fillimisht ka ardhur vetura ‘Mercedes, vozitës Nuredin Sylejmani me pasagjer Genc Selimi. Vetura e dytë ka qenë ‘BMW’ e zezë me targa 06, vozitës ka qenë Valoni e pasagjer Ardiani”, deklaroi dëshmitari.

Më pas dëshmitari tha se në atë takim të akuzuarit i kishin marrë 14 armë të tipit AK-47 si dhe një snajper, për të cilat tha se kanë qenë të regjistruara me numër serik dhe të fotografuara.

“Kanë dalë personat nga vetura dhe kanë dashur që t’i shohin armët kërkesa ime ka qenë që t’i marrim armët dhe veturën më pas janë marrë 1400 e 10 euro nga Nuredin Sylejmani si dhe libreza e veturës ‘Mercedes’ të cilën na e dha Nuredin Sylejmani”, deklaroi tutje dëshmitari.

Në lidhje me takimin e tretë dëshmitari tha se përpos Valonit i cili kishte qenë i maskuar me syze të cilin prapëseprapë kishin arritur ta identifikonin, të tjerët tregoi se kanë qenë të pamaskuar dhe ka pasur mundësi që t’i vërente shumë mirë në fytyrë, raporton kallxo.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat