Dështon miratimi i rekomandimeve për mungesë kuorumi

Kosova

Dështon miratimi i rekomandimeve për mungesë kuorumi

Më: 8 mars 2018 Në ora: 20:06
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës për mungesë kuorumi ka dështuar të miratojë rekomandimet e harmonizuara nga grupet parlamentare për dhunën në familje.

Pas një debati të gjerë për dhunën  në familje, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka lexuar nëntë rekomandimet e harmonizuara nga Grupet Parlamentare.

Në rekomandimin e parë kërkohet, Rishikimi dhe plotësimi i ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje.

Në rekomandimin numër dy, të bëhet ndryshimi në Kodin Penal dhe të procedurës penale për veprën penale të dhunës në familje, si dhe fuqizimi i mekanizimit koordinues për parandalimin dhe ndjekjen penale të dhunës në familje, përfshirë dëmshpërblimin për dëmet emocionale të viktimave të dhunës në familje, dhe viktimave në baza gjinore.

Në rekomandimin numër tre, thuhet të zbatohet në tërësi Strategjia Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe pani i veprimit 2016-2020 që ka të bëjë në ri-integrimin e viktimave të dhunës në familje. Si dhe rishikimi i dokumenteve për të reflektuar ndryshimet në legjislacionin konform pikave 1 dhe 2 të kësaj rezolute.

Rekomandimi numër katër, avancimi i kurikulave arsimore për edukimin e nxënëseve për rëndësinë e barazisë gjinore si dhe eliminimi i rasteve në kurikula, ku konsiderohet dhuna në familje si mjet komunikimi.

Rekomandimi pesë, përfshirja e strehimoreve në planifikimin e ardhshëm buxhetor për vitin 2019 dhe shqyrtimi i mundësisë për ndihmë të jashtëzakonshme me rishikim të buxhetit për vitin 2018.

Në rekomandimin e gjashtë kërkohet avancimi i buxhetimit të plotë gjinor në të gjithë institucionet.

Rekomandimi shtatë kërkohen programet e qarta dhe marrje parasysh e aspekteve të barazisë gjinore në Ministri të e linjës që mbështesin gratë në biznes dhe punësim përfshirë programet për riaftësim profesional dhe inkuadrim të grave në tregun e punës.

Ndërsa, në rekomandimin e tetë thuhet të ketë mbështetje e politikave për programet sociale dhe strehim afat gjatë të viktimave të dhunës në familje, si dhe në rekomandimin e nëntë kërkohet mbështetje e qendrave për punë sociale për ofrimin e shërbimeve këshilluese për familje si masë e parandalimit të dhunës dhe ndarjeve të familjes.

Kollçaku ka thënë se Qeveria t’i marrë seriozisht rekomandimet

“Ne presim që Qeveria shumë seriozisht ti merr këto rekomandime të dala nga kjo rezolutë si dhe në si deputet besoj se do të zotohemi që në përpikëri  dhe konsekuencë do të ndjekim realizmin e këtyre. Andaj, ftoj të gjithë juve që ta miratojmë këtë rezolutë, sepse është e një rëndësie të veçantë”, ka thënë Kollçaku.

Ndryshe, në mungesë të kuorumit në seancën e Kuvendit të Kosovës, nuk janë miratuar  rekomandimet pas debatit që zgjati me orë të tëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat