Krasniqi: Albin Kurti nuk e toleron mendimin kritik

Kosova

Krasniqi: Albin Kurti nuk e toleron mendimin kritik

Më: 8 mars 2018 Në ora: 22:15
Frashër Krasniqi

Ish-zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi në një intervistë për Rubikon, ka thënë se Albin Kurti nuk e toleron mendimin kritik.

“Për mua është shqetësuese nëse brenda një qeverie kemi një mënyrë të menduarit e cila nuk toleron për asnjë moment mendimin ndryshe, mendimin kritik. Kam shpresu dhe vazhdoj të shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje do ta gjej kurajën të reflektojë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka folur edhe për akuzat që po u bëhen nga ish-bashkëpartiakë të tyre nga Vetëvendosje.

“Me dashtë me shkatërru Lëvizjen Vetëvendosje e kishim bërë para zgjedhjeve e jo pasi që ja fala 13 vjet të jetës time, pjesën më të mirë të rinisë, pasi i futa gjithë familjen time në tërë ato vuajtje”, shtoi Krasniqi.

“Po na thonë edhe se jemi të manipuluar. Nëse qenkemi kaq lehtë të manipulueshëm pse s’u manipuluam prej z. Kurti”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai foli edhe për dorëheqjen e Shpend Ahmetit dhe kërkesat që ai ta dorëzojë edhe postin e kryetarit të Prishtinës.

Sipas tij, një kërkesë për dorëzim posti duhet të bëhet duke u bazuar në projekte e jo në përkatësinë partiake.

“Z. Shpend Ahmetin e kanë votuar shumë njerëz për shkak të Lëvizjes por edhe shumë si individ. Dorëheqja e tij duhet të matet me realizmin e projekteve por jo të kthehet në inat, deri sot po të përkrahi ndërsa tash do të të bllokojë vetëm pse ke dhënë dorëheqje prej Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Se brenda Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejohet mendimi kundër, sipas tij, vërtetohet edhe me ndryshimin e Konjufcës dhe akuzat që po i bëhen Shpend Ahmetit.

“Glauk Konjufca për me mbrojt Lëvizjen Vetëvendosje iu desh me ra në një nivel të ulët. Kjo e ka vërtetu. E vërtetoi edhe kjo me Shpend Ahmetin”, ka thënë ai.

Krasniqi nuk e ka mohuar se shpejt do të mund të krijohet një subjekt i ri politik nga të dorëhequrit nga Vetëvendosje. Ai ka thënë se nuk do ta lë politikën, por ka thënë se vendimi për krijimin e një subjekti të ri është çështje e përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat