SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme në prill

Kosova

SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme në prill

Më: 12 mars 2018 Në ora: 11:39
SBASHK-u

(E plotësuar)- Zyrtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës kanë deklaruar se greva tërë ditore në sektorin e arsimit që është mbajtur sot është si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave të mësimdhënësve, ndërsa kanë përsëritur se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre atëherë do të shkojnë në grevë të përgjithshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kërkesë e tyre është që të dërgohet në Kuvend Projektligji për statusin e punëtorëve të viteve të 90-ta.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të dijë qe PISA po vjen dhe ajo e ka çelësin që të veprojë dhe të realizojë kërkesat, fillimisht të merret me ligjin për vitet e 90-ta që është i përfunduar dhe pastaj të fillojmë negociatat dhe të bisedojmë edhe për kontratën konkretisht edhe për Ligjin e Pagave dhe për Ligjin e Punës.

Jasharaj: Pas 13 prillit grevë në tërë sistemin arsimor

“Nëse Qeveria e ka kohë të mjaftueshme nuk reflekton deri më 13 prill, atëherë i tërë sistemi arsimor do të jetë sërish në grevë, por nuk do të ketë më hapësira për greva të përshkallëzuar por do të ketë grevë në tërë sistemin arsimor, përveç çerdheve në kohë të pacaktuar. Gjegjësisht deri në momentin kur ne e shohim nga afër se po fillojnë së realizuari kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë që është mbajtur në zyrat e SBASHK-ut pasditen e së hënës.

Jasharaj bëri të ditur se greva e sotme është përkrahur nga numri maksimal i institucioneve të arsimit, ku ai tha se nuk kanë mundur të gjejnë një shkollë që nuk i është përgjigjur grevës.

Ndërsa, ai ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur ndonjë komunikim me institucionet e shtetit dhe se presin që nga nesër të fillojë komunikimi me ta.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria dhe insistojnë të kërkojnë që të realizohet në tërësi Kontrata Kolektive, duke thënë se kjo kontratë është e tërë sistemit arsimor. Po ashtu, Jasharaj tha se kanë kërkuar që në Ligjin e Punës të përfshihen idetë konkrete të SBASHK-ut që i takojnë lëmisë së arsimit.

Kurse, sa i përket asaj që Ministria e Financave kishte deklaruar se nuk mund të jep aprovim për një Projektligj, i cili nuk i respekton procedurat e Ligjit të Buxhetit, Ligjit për menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë dhe dokumentet tjera në fuqi, Ymer Imeri nga SBASHK-u thotë se për të realizuar ligjin për vitin 2018 nevojiten 2 milionë e 514 mijë euro.

Imeri: Duhen 2 milionë e gjysmë dhe 6 milionë e gjysmë

“Nëse ata dëshirojnë të na fajësojnë neve për këtë veprim le të na e dhanë një autorizim brenda dy ditëve kemi me i gjete paret brenda buxhetit të Kosovës. Vetëm kemi me i ndal ato që keqpërdoren nga sistemi i pagave kemi me i gjet paret për me realizua ligjin që në vitin 2018 nevojiten 2 milionë e gjysmë, jo 6 milionë siç tha Lulzim Rafuna dhe 12 milionë që tha për vitin e dytë. Pra, duhen 2 milionë e gjysmë dhe 6 milionë e gjysmë për shkak se është dokument që e ka lëshuar Ministria e Financave dhe ky dokument thotë se në vitin 2018 duhen 2 milionë e 514 mijë e 697 euro. Në vitin 2019 duhen 6 milionë 738 euro dhe në vitin e tretë duhen 7 milionë e 504 mijë e 101 euro që e ka përmbledhur krejt prej vitit 2018 deri në vitin 2020 duhen 16 mijë. Do të thotë po tentojnë të manipulojnë, të dezinformojnë opinionin”, tha Imeri.

Për grevën e mësimdhënësve gjatë ditës ka reaguar edhe Këshilli i prindërve dhe KLMDNJ të cilat e kishin kundërshtuar grevën, e kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj  ka thënë që ata mos ta kritikojnë SBASHK-un, por që ato kritika t’i drejtojnë nga Qeveria.

Ai ka thënë se SBASHK-u nuk i ka përdorur asnjëherë fëmijët dhe as nuk do t’i përdor fëmijët për arritjen e qëllimeve të veta.

Jasharaj: Nëse dikush i do fëmijët e Kosovës i duam ne mësuesit

“Nëse dikush i do fëmijët e Kosovës i duam ne mësuesit, por po harron këshilli i prindërve se edhe ne jemi prindër, ne kemi fëmijë dhe në të njëjtën kohë nëse dmtohen fëmijët e Kosovës dëmtohen edhe fëmijët e mësimdhënësve. Këshilli e ka gabim, ne mund ta akuzojmë këshillin se ai direkt po e shfrytëzon autoritetin e vet duke na cenuar të drejtën elementare për grevë. Ne nuk po bëjmë greva kundër fëmijëve, por po bëjmë greva si mundësi e jona e lejueshme për të bërë presion ligjor ndaj pushtetit. Prindërit e Kosovës dhe këshilli atje në vend që të na kritikoj neve dhe të mundohet të na mohoj të drejtën elementare për të shprehur pakënaqësitë tona që janë të bazuara me ligjin për greva, ata po mendojnë se e kanë më but, kritikat duhet të adresohen kabinetit qeveritar, ministrit Hamza dhe të tjerëve”, tha Jasharaj.

Grevës së sotme i janë bashkangjitur edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Universiteti i Ferizajt, Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”. Ndërsa, Universiteti i Gjakovës dhe ai i Gjilanit nuk janë anëtare të SBASHK-ut dhe ato nuk iu  kanë bashkangjitur grevës.

Kurse, mësimi në mënyrë të rregullt do të mbahet që nga nesër.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës paralajmëron grevë e përgjithshme më 13 nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrimet e tyre lidhur me kërkesat e mësimdhënësve për të drejtat që u takojnë.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se kjo  grevë një ditore po mbahet pa  dëshirën e tyre , por sipas tij kërkesat e mësimdhënësve me nënshkrime do të respektohet  deri  sa të arrihen rezultatet e pritura.

Ai shtoi se nëse greva e sotme nuk jep rezultatet e pritura do të vazhdojnë me grevë të përgjithshme në prill deri sa të arrihet marrëveshja mes Qeverisë dhe ministrive përkatëse.

Jashari: Sistemi arsimor do të shkojë në grevë të përgjithshme

“Kryetari, Kryesia dhe Këshilli Drejtues është i obliguar që në qoftë se greva e 12 marsit , e sotme,  nuk jep rezultatet e pritura , sistemi arsimor do të shkojë në grevë të përgjithshme, me kohë të pacaktuar më 13 prill. Kongresi e ka bërë këtë që Qeveria mos të ankohet që i kemi dhënë pak afat, besoj që Qeveria nëse e ka seriozisht , duhet ta ketë seriozisht, dhe nëse  e do arsimin qysh po deklaron, atëherë ka afat të mjaftueshëm që të ulen bashkë me SBASHK-un, ministrinë gjegjëse dhe t’i realizojë kërkesat tona, fillimisht pra të zgjidhet statusi i punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90-ta, por të kemi dokument që  edhe ligji për pagat do të jetë në versionin për pjesën e arsimit”, tha Jasharaj.

Ndërsa kryetari i BSPK-së Avni Hajdini bën apel tek Ministria e ë Financave që të gjejë një zgjidhje për buxhet dhe t’i realizojë  kërkesat e mësimdhënësve.

Hajdini: Nuk lejojmë askënd që të na degradojë

“ Jemi burim i shkencës dhe mbrojtjes së vendit tonë, por për degradim nuk e pranojmë askënd që të na degradojë për punën tonë, kërkojmë atë që na takon. Megjithatë me keqardhje e them me këtë formë duhet t’i realizojmë , ne do t’i realizojmë gjithsesi, por apeloj edhe një herë te ministri i Financave që të gjej buxhet dhe t’i realizojë të drejtat e punëtorëve”, tha Hajdini.

Arsimtarja në shkollën fillore “Dardania” Ilmie  Stublla-Dumani kërkoi që kërkesat e tyre të realizohen që të jenë bashkë me nxënësit në shkollë , e jo të qëndrojnë në objektet e shkollës pa punuar.

Stublla-Dumani: Kjo çështje është dashur të zgjidhet

“Janë disa kërkesa të cilat kërkojmë të realizohen , kërkesa e parë është pranimi i përvojës së punës që e kemi bërë gjatë viteve ’90-ta dhe tjerat i dëgjuat që këtë çështje është dashur ta zgjidhnin më herët. Mos të na detyrojnë të kalojmë në grevë për arsye se nuk është as dëshirë e jona që të mos punojmë sot gjithë ditën , por të ishin edhe nxënësit dhe të jemi bashkë”, tha Stublla-Dumani.

Mësimdhënësja Stublla-Dumani thotë se edhe prindërit duhet t’i  kuptojnë pse janë në grevë.

 SBASHK-u  gjatë ditës do t’i  vizitojë edhe disa shkolla tjera që po e zhvillojnë grevën një ditore në kërkim të realizimit të të drejtave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat