Mungesa e buxhetit pengesë për zbatimin e Planit Strategjik të Arsimit

Kosova

Mungesa e buxhetit pengesë për zbatimin e Planit Strategjik të Arsimit

Më: 15 mars 2018 Në ora: 10:06
Shyqiri Bytyqi

(E plotësuar) - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka prezantuar raportin vjetor të vlerësimit të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017/2021, ku sfidë kryesore në ngecjen e zbatueshmërisë ka qenë mungesa e mjeteve financiare.

Me rastin e prezantimit të raportit, ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, vlerësoi se në realizimin e planit një ndër pengesat kryesore ka qenë mungesa e një buxheti të mjaftueshëm, i cili do të iu lehtësonte dhe mundësonte që ky plan të zbatohej në mënyrën më të mirë të mundshme.

Përkundër kësaj, ministri tha se ka pasur disa arritje të rëndësishme, por që theksoi se sigurimi i cilësisë në arsim mbetet një sfidë e padiskutueshme.

Bytyqi: Sigurimi i cilësisë mbetet një sfidë e padiskutueshme

“Sigurimi i cilësisë mbetet një sfidë e padiskutueshme dhe besoj që përkundër disa hapave të mirë që janë arritur deri më tani na mbetet sfida kryesore që ne tutje me një angazhim të jashtëzakonshëm për sigurimin e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, duke filluar nga ai parashkollor që veç po shihet se është një element pozitiv, sepse sa më shumë që po kemi rritje të gjithpërfshirjes në sistemin parashkollor po vërehet një cilësi shumë e lartë e nxënësve dhe fëmijëve ne pjesën e arsimit parauniversitar”, tha ai.

Bytyqi ka thënë se gjithëpërfshirja ka shënuar ngritje nga niveli parashkollor deri në nivelin parauniversitar, ndërsa, shtoi se fuqizimi i rolit të prindërve në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave do të ndihmonte në menaxhimin e mirë të shkollave.

Po ashtu, ai tha se tek sistemi i menaxhimit të shkollave sfidë mbetet depolitizimi i shkollave.

Byqyqi: Sistemi i menaxhimit arsimor ka nevojë akoma për depolitizim

“Tek sistemi i menaxhimit arsimor është bërë një punë e mirë, megjithatë ka nevojë akoma, ne kemi bashkëpunim me partnerët e tjerë që na ndihmojnë lidhur me menaxhimin e sistemit të menaxhimit. Ajo çka mbetet sfidë që duhet ta përmend tek sistemi i menaxhimit arsimor ka nevojë akoma për depolitizim, sepse është një pjesë e sistemit  të politizuar  që paraqitet një far pengese për menaxhimin sa më të drejt. Në veçanti synimi ynë që është tek çështja e menaxhimit të sistemit të mirë do të jetë pika kyçe që ne e kemi identifikuar dhe konsideroj se bashkë me partnerët tanë këtë gjë mund ta arrijmë është zgjedhja e drejtorëve të shkollave fillore dhe është kyçi i eliminimit të politizimit”, tha ministri Byqyqi.

Ai tha se janë duke kërkuar mënyrë që të zgjidhet drejtori i shkollës në mënyrën që të mos ketë implikime politike. Sipas tij, një nga synimet e tyre është që roli i prindërve të jetë kyç në zgjedhjen e drejtorëve.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, u zotua se MAShT do të angazhohet në zbatimin me përpikëri të këtij plani në vitet e ardhshme.

Arsimi profesional është pikë kyçe e qeverisjes në këtë mandat ka thënë ministri Byqyqi, duke shtuar se do të bëjnë përpjekje në ngritjen e kapacitetit të shkollave profesionale.

Ndërsa, përfaqësuesi i GIZ-it në Kosovë, Boris Scharloëski vlerësoi se PSAK është një dokument i cili jep udhëzime të qarta rreth orientimit se ku duhet vendosur energjinë e përbashkët.

Ai tha se ky dokument gjeneron një shpresë të re për sistemin arsimor në Kosovë.

Scharloëski: GIZ-i ka një histori të gjatë në mbështetjen e MAShT-it

“GIZ-i ka një histori të gjatë në mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në zhvillimin e arsimit të Kosovës dhe Planit Strategjik të Kosovës 2017-2021. Ka qenë një proces i gjatë ngase ne jemi munduar të përfshihemi sa më shumë që është e mundur, duke përfshirë edhe të gjitha aktorët relevant në sistemin arsimor dhe jemi shumë mirënjohës që kjo është zbatuar nëpërmjet konsorciumi që ka qenë një konsorcium ndërkombëtar dhe vendor. Siç e dini të gjithë PSAK është miratuar para më shumë se një viti, në dhjetor të vitit 2016 dhe se mendoj që është vërtetuar se është një kohë e rëndësishme për vendin ngase ka qenë afër prezantimit të rezultateve të PISA dhe ka qenë kruciale ngase ishte hera e parë kur Kosova është vlerësuar”, tha ai.

Ditë më parë edhe Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim ka publikuar raportin “Zbatimi i Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë në vitin 2017”, ku ky raport kishte nxjerrë përfundime se problem mbetet pjesëmarrja e vogël e fëmijëve në parashkollor, rregullimi i statusit të stafit drejtues të shkollave, sigurimi i cilësisë, zhvillimi i mësimdhënëseve që duhet ketë fokus trajnimi tyre në kurrikula etj.

Bytyqi: Sigurimi i cilësisë mbetet sfidë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar punëtorinë për vlerësimin vjetor të punës të Planit Strategjik i Arsimit në Kosovë - PSAK 2017.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se nga raporti shihet se vërtet është bërë një punë e mirë, por ka pasur pengesa në zbatimin e planit strategjik.

“Një nga pengesat ka qenë buxheti. Plani strategjik përfshin 7 objektiva, shihet se ka pasur lëvizje, megjithatë mbetet një nga sfidat gjithëpërfshirja e fëmijëve në sistemin parashkollor”, tha Bytyqi.

Ministri Bytyqi tha se sistemi i menaxhimit ka nevojë për depolitizim.

“Synimi ynë është pika kyçe që ne e kemi identifikuar dhe që është zgjedhja e drejtorëve të shkollave. Synim kemi që roli i prindërve të jetë kyç në zgjedhjen e drejtorëve. Është një sfidë, por do të ia arrijmë. Sigurimi i cilësisë mbetet sfidë, ndonëse janë bërë disa hapa, por prapë na mbetet shumë për të bërë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat